Tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet ta ndjek shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe duhet t’i përshpejtojë reformat, posaçërisht në sferën e sundimit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut dhe ekzekutimit të mirë të pushtetit, deklaroi sot eurokomisari për politikë të fqinjësisë së mirë dhe zgjerimit Johannes Hahn në Samitin për Ballkanin Perëndimor në qytetin polak Poznanj.
Ai theksoi se BE-ja duhet t’i respektojë premtimet e veta dhe ta shpërblejë “vendin që ka arritur përparim historik”, duke vlerësuar se mos shpërblimi i përparimit objektiv do ta prish kredibilitetin e Unionit.
“Qëndroj pas rekomandimit të Komisionit evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe vlerësoj se Këshilli i BE-së në tetor do ta konfirmojë vlerësimin tonë pozitiv. Të dy vendet kanë zbatuar reforma, posaçërisht në sferat e përmendura në konkludimet e Këshillit nga qershori i vitit 2018”, deklaroi Hahn.
Eurokomisari theksoi edhe se vendet nga Ballkani Perëndimor gjatë viteve të ardhshme edhe më tej do të munden të llogarisin në përkrahjen e BE-së në zbatimin e reformave përmes programit IPA 3, për të cilin gjatë periudhës së ardhshme është paraparë rritje e mjeteve për 13 për qind.
Hahn potencoi se ekonomitë e vendeve nga Ballkani Perëndimor veçmë janë fuqimisht të lidhura me BE-në, në çka tregon fakti se mbi 70 për qind nga këmbimi tregtar i rajonit është me shtetet e Unionit.
Comments are closed for this post.