Një studim i fundit ka ekzaminuar lidhjen në mes të ambientit ku njerëzit jetojnë dhe rrezikut të zhvillimit të hipertensionit. Sipas këtij studimi, lokacioni dhe lloji i shtëpisë ku jetojmë mund të luaj një rol në zhvillimin e tensionit te lartë të gjakut, shkruan Medical News.
Sipas Qendrës për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sindroma metabolike prek përafërsisht 1 në 3 të rritur.
Sindroma metabolike përfshinë një spektër të çrregullimeve, që përfshijnë diabetin, sasinë e lartë të yndyrës dhe sasinë e lartë të kolesterolit në gjak. Faktorët, që e rrisin rrezikun nga këto çrregullime janë: obeziteti, gjenetika, mosha dhe diabeti.
Krahas këtyre faktorëve që dihen, shkencëtarët janë duke hulumtuar nëse vendi ku jetojmë ka një impakt në këto sëmundje.
Duke përdorur informacionet e 1.200 personave, që jetonin në të njëjtin vend, hulumtuesit vërejtën se ndotja e ajrit, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe shtëpia ku jetojmë, mund të jenë faktorë që ndikojnë në shkaktimin e këtyre sëmundjeve.
Në bazë të këtyre informacioneve, hulumtuesit erdhën në përfundim se sa më i lartë ekspozimi ndaj ambienteve të ndotura aq më i lartë ishte rreziku i prekjes nga këto sëmundje.
Një faktor tjetër, që ka ndikuar në rritjen e rrezikut për hipertension është edhe jetesa në shtëpitë, në të cilat banojnë më shumë se një familje. Kjo për shkak të hapësirës së ngushtë dhe zhurmës, që një person mund të përjetojë.
Ky studim edhe pse kishte disa kufizime, gjithsesi përbën një hap të rëndësishëm në përcaktimin e të gjithë faktorëve që e rrisin rrezikun nga sëmundjet e zemrës, hipertensionit dhe diabetit.
Studimi u publikua në revistën “Journal of Public Health”.
Comments are closed for this post.