Meshkujt në vendet më të pasura, apo në vendet ku kujdesi shëndetësor është më i mirë, më shumë i preferojnë vijat më femërore të fytyrës tek pjesëtaret e gjinisë së kundërt, ndërsa ata në vendet më të varfra, ku jetohet më vështirë, i preferojnë femrat me karakteristika më të vrazhda të fytyrës, thekson studimi, përcjell “The Sun”

Në mesin e vendeve në të cilat u zhvillua sondazhi doli se japonezët më së shumti nga të gjithë i duan linjat e buta dhe të lehta të fytyrës, ndërsa nepalezët më së paku.

Ekipi i udhëhequr nga Urszula Marcinkowska, një biologe nga universiteti në Turku të Finlandës, thotë se evolucioni ka çuar në atë që meshkujt të cilët jetojnë në kushte të vështira i zgjedhin femrat më mashkullore.

Për studimin, e publikuar në revistën britanike “Biology Letters”, hulumtuesit kërkuan nga 1.972 meshkuj heteroseksual nga 28 vende që ta përzgjedhin fytyrën më tërheqëse të një gruaje të re.

Ata i morën njëzet çifte fotografish, ndërsa secili çift kishte treguar të njëjtën fytyrë me faktin se një imazh ishte “fotoshopuar” ashtu që fytyrës i kishin dhënë tipare më femërore – sy më të mëdhenj, buzë më të plota, nofull më të rrumbullakët dhe vetulla më pak të theksuara, ndërsa në fotografinë tjetër e kishin bërë pikërisht të kundërtën.

Gjetjet janë në kundërshtim me hipotezat e deritanishme që meshkujt në vendet e varfra me një kujdes shëndetësor të dobët veçanërisht e preferojnë pamjen femërore, e cila do të duhej të jetë një shenjë e pjellorisë së mirë dhe gjeneve të mira.