Në botë jetojnë rreth 7.6 miliardë njerëz. Rreth 24 për qind e tyre apo 1.8 miliard njerëz do të agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij për një muaj të plotë. Është Ramazani, muaji më i shenjtë në kalendarin islam.

Por çka nëse ju nuk jeni mysliman, por thjesht një person i kujdesshëm dhe i sjellshëm? A ekziston diçka që duhet ta bëni në mënyrë që të mos dukeni të pandjeshëm në sytë e miqve që agjërojnë? Përgjigja e shkurtër: Jo. Megjithatë, ju mund t’i fitoni disa pikë të mira nëse i merrni parasysh këto dhjetë këshilla:

1. Mund të hani lirisht përballë nesh

Gjatë 29 ditëve të Ramazanit, myslimanët në mbarë botën do të heqin dorë nga ushqimi dhe pijet gjatë tërë ditës. Kjo nuk do të thotë se ju nuk duhet të silleni si zakonisht. (Thjesht silluni sikur nuk po e dëgjoni zhurmën e barkut tonë.)

2. …por përpiquni të mos organizoni dreka pune

Nëse ju duhet të merrni pjesë në një vend ku ka ushqim të paketuar, nuk ka problem. Por mos u ndieni keq nëse ne ulemi aty dhe rrimë si një vegjetarian në vendet ku ka vetëm mish. Nëse kolegu juaj mysliman largohet, përpiquni ta kuptoni.

3. Nuk jeni të detyruar të agjëroni me ne

Mund të agjëroni, nëse dëshironi të dini se çfarë ndjenje është. Por edhe nëse nuk e bëni, ne nuk do të ndihemi të lënduar, edhe nëse jemi shokë të ngushtë ose shoqe të ngushta.

4….por ju mund të na bashkoheni në Iftar

Iftari është koha kur perëndon dielli dhe kur përfundon agjërimi i një dite. Neve na pëlqen që iftari t’i bëjë bashkë shumë njerëz. Duhet të bashkoheni me ne.

5. Nuk jeni të detyruar ta dini se kur fillon Ramazani

Ramazani nuk është sikur Krishtlindjet apo Dita e Falënderimeve, të cilat festohen gjithmonë në datën e njëjtë. Ramazani lëviz nëpër muaj, sepse kalendari islam është kalendar hënor. Koha e fillimit të Ramazanit varet nga koha kur shihet hëna e re. Prandaj, data e Ramazanit ndërron secilin vit.

6….por ju lutemi të bëheni paksa fleksibilë

Mënyra se si e përcaktojmë datën për fillimin e Ramazanit është paksa e vjetruar: Duhet që hëna të shihet fizikisht, ndonëse ka aplikacione për këtë. Për këtë arsye, nëse kolegu ose kolegia juaj e punës kërkon nga ju që t’ia mundësoni fillimin e punës dhe përfundimin e saj më herët vetëm 24 orë para Ramazanit, përpiquni të përshtateni me këtë.

7. Ne prapë do të vijmë në kafene me ju

Jo, nuk mund të pimë. Madje as ujë. Por do të ju shoqërojmë, nëse dëshironi ta bëni një pushim të shkurtër.

8….sidoqoftë, mund të mbajmë pak distancë

Kjo për shkak të erës së gojës që vjen nga mungesa e ushqimit dhe pijes gjatë tërë ditës. Për këtë arsye, ne përpiqemi të qëndrojmë një hap larg jush kur flasim.

9. Mund të thoni “Ramadan Mubarak”

Kjo përshëndetje nuk është e nivelit kundërthënës “Luftë të krishterëve”. Ajo e ka kuptimin “Urime Ramazanin”. Kolegu ose kolegia juaj myslimane do ta çmojë këtë mirësjellje.

10…por ju lutemi mos thoni: “Edhe unë duhet të agjëroj. Më duhet ta zvogëloj peshën”

Agjërimi nuk bëhet për këtë arsye. Përveç kësaj, një nga efektet anësore të Ramazanit është shtimi i peshës për shkak të ushqimit të tepërt pas perëndimit të diellit, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Expres