Në Kumanovë filloi aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë joligjore në këtë komunë. Dje u rrënua një objekt i ndërtuar 18 vjet më parë, në një pjesë të gjelbër në sheshin e qytetit, para Qendrës kulturore. Objekti është përdorur për disa qëllime: dyqan, seli e shtabit zgjedhor, por më së shumti si objekt hotelerik, shkruan Sdk.mk, transmeton Zhurnal.mk

 

Inspektorati komunal thotë se rrënimi ka pasuar sepse pronari ndonëse e ka marrë vendimin, nuk e ka mënjanuar objektin brenda afatit të përcaktuar ligjor.

 

“Në procedurë gjyqësore është konstatuar se objekti, që gjendet në rrugën Mareshali Tito, nuk posedon vendim për vendosje të objektit të përkohshëm, as leje ndërtimi. Gjendet në sipërfaqe të gjelbër dhe shërbimet e inspektimit kanë dorëzuar vendim për ta hequr brenda afatit ligjor dhe vendim për përmbarim administrativ dhe për shkak se nuk është vepruar sipas vendimeve, është realizuar rrënimi”, njoftojnë nga Inspektorati.

 

Pronari i objektit në vitin 2016 ka ngritur procedurë për legalizimin e tij, e cila është refuzuar nga Komuna e Kumanovës. Por ai pretendon se posedon dokumentacion të duhur prej 20 vjet më parë, të lëshuar nga Ministria e transportit dhe lidhjeve, kryetari i atëhershëm i komunës dhe Këshilli i kuvendit të Kumanovës për rregullim të tokës ndërtimore dhe instalim të objekteve të përkohshme dhe pajisjeve urbane.

 

Kryetari Maksim Dimitrievski tha se aksioni i rrënimit të objekteve, të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, ka filluar në shkurt dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

“Ndërhyrja e parë u bë në vendbanimin e Lagjen e Trimave, ku u rrënua një mur i ndërtuar në mënyrë të paligjshme në zonën e autostradës, që përbënte rrezik për qytetarët. Pastaj, me kërkesë të komunës, disa pronarë vetë i kanë mënjanuar objektet e përkohshme që nuk kanë pasur status të rregulluar. Javën e kaluar është mënjanuar kopshti i restorantit “Milano” në qendër të qytetit, si dhe një tjetër në të njëjtin vend. Aksioni vazhdon sot në sheshin e ri”, tha Dimitrievski.