Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili edhe sot ka vizituar të lënduarit nga aksidenti në rrugën Shkup-Tetovë, tha se disa pacientë do të lëshohen për kurim shtëpiak, ndërsa disa të tjerë janë në gjendje të rëndë.

Filipçe informoi se në Spitalin “8 Shtatori” të hospitalizuar janë 28 pacientë, prej të cilëve gjashtë do të lëshohen në kurim shtëpiak, ndërsa katër tjerë janë në gjendje më të rëndë,

“Sot në spitalin ‘8 shtatori’ po mjekohen 28 pacientë, gjashtë do të lëshohen në kurim shtëpiak. Prej pacientëve gjashtë janë në mjekim intensiv, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje më kritike. Në Qendrën Klinike janë të shtruar 8 pacientë. Katër prej tyre janë në gjendje të rëndë, tani tek njëra do të bëhet intervenim kirurgjik”, tha Filipçe.

Ndërsa drejtori i Spitalit “8 Shtatori” Kristijan Kosov, informoi se mbrëmë janë kryer ndërhyrje kirurgjike tek disa pacientë, ndërsa edhe sot do të ketë operacione.

Sa i përket sasive të gjakut në spital, ai tha se për momentin spitali posedon gjak të mjaftueshëm për të menaxhuar situatën me personat e lënduar nga aksidenti.