Një tjetër shkëmbim të burgosurish ishte arritja e raundit të dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta Kiev – Moskë në Stamboll të nxitura nga Uashingtoni.
“Ramë dakord t’u dorëzojmë ukrainasve trupat e pajetë të 6 mijë të burgosurve. Po ashtu, ramë dakord për shkëmbimin e grupit më të gjerë të të burgosurve. Të plagosurit rënde dhe të sëmurët, si dhe të rinjtë nën 25 vjeç do të shkëmbehen me formulën “të gjithë për të gjithë””, u shpreh drejtuesi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky.
Ukrainasit do të dorëzojnë 6 mijë trupa ushtarësh rusë të pajetë. Rusët u ofruan ukrainasve 2 – 3 ditë armëpushim për mbledhjen e trupave të viktimave në terren. Sa i përket uljes së armëve në konflikt, çështja që pritet me më shumë interes, ende nuk ka ndonjë përfundim. Rusët u dorëzuan ukrainasve memorandumin për paqen, detajet e të cilin nuk i kanë bërë publike.
“Ekipeve tona u duhet një javë për të shqyrtuar dokumentin dhe pastaj do të diskutojmë për hapat e mëtejshëm”, thekson ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.
Në media është folur se në memorandum, rusët kanë kërkuar si garanci për paqen, një traktat që garanton mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe njohjen nga Ukraina të humbjes së territoreve të pushtuara nga rusët.
Në të njëjtën ditë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, kërkoi nga Vilnusi pas takimit me vende aleate të NATO-s nga qendra dhe veriu i kontinentit që të shtohet presioni ndaj Rusisë në mënyrë që bisedimet të sjellin rezultate.
“Sot ne e shohim qartë situatën. Nëse Rusia i shndërron takimet në bisedime boshe duhet një nivel i ri presioni, sanksione të reja dhe jo vetëm nga BE”, thekson Zelensky.
Ndërsa presidenti turk Rexhep Taip Erdoan shprehu gatishmërinë për tu ulur përballë njëri-tjetrit, Volodimir Zelenskit dhe Vladimir Putinit.
“Nëse ata pranojnë, do doja të isha pjesë e një takimi me ta dhe ta shndërroja Stambollin në një qendër paqeje”, thekson presidenti i Turqisë Reçep Tayyip Erdogan.
Comments are closed for this post.