Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të M-NAV SHA Shkup, V.K. dhe B.A. për keqpërdorim të pozitës dhe papërgjegjësi në shërbim. V.K. dyshohet se ka bashkuar në mënyrë të paligjshme dy prokurime të papajtueshme, duke vendosur kushte diskriminuese në dokumentacionin e tenderit për një zgjidhje softuerike. B.A., ndonëse në dijeni të shkeljeve, ka lejuar publikimin e tenderit në sistemin elektronik. Këto veprime kanë dëmtuar buxhetin e ndërmarrjes me mbi 1.4 milionë denarë, në favor të kompanisë Contego DOO Shkup.
“Drejtoria e Policisë Financiare ngriti një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër V.K. në cilësinë e ish-drejtorit ekzekutiv i Sektorit për navigim ajror Shoqërinë Aksionare shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M-NAV ShA Shkup për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale, “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, neni 353 paragrafi 2 i Kodit Penal” dhe kundër B. A. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit të
Departamentit të Prokurimit Publik në Shoqërinë Aksionare shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M-NAV SHA Shkup për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale, “Punë e papërgjegjëshme në shërbim, neni 353-c, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thonë nga Policia Financiare.
Nga Policia shtojnë se i denoncuari i parë V. K. abuzoi me pozicionin dhe autoritetin e tij zyrtar në një mënyrë që ai bashkoi dy prokurime publike krejtësisht të ndryshme dhe të papajtueshme në një të vetëm, përkatësisht një prokurim për zhvillimin e një zgjidhjeje plotësisht funksionale për menaxhimin e dokumenteve, pra prokurimin e një zgjidhjeje softuerike, me prokurimin e arkivimit fizik dhe elektronik të dokumenteve, dhe duke përfituar nga pozicioni i tij zyrtar, gjatë vitit 2022, në kundërshtim me nenin 89 të Ligjit të Prokurimit Publik, zhvilloi specifikime teknike dhe dokumentacion tenderimi me kushte diskriminuese dhe joproporcionale për përzgjedhje cilësore për Prokurimin Publik për sigurimin dhe zbatimin e një zgjidhjeje plotësisht funksionale për menaxhimin e dokumenteve me numër shpalljeje 12253/2022, në të cilin futi kushte dhe kritere që lidhen kryesisht me arkivimin fizik të dokumenteve dhe nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimin e një zgjidhjeje plotësisht funksionale për menaxhimin e dokumenteve, pra prokurimin e një zgjidhjeje softuerike, gjë që është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit nga neni 8 dhe parimin e konkurrencës nga neni 5 i Ligjit të Prokurimit Publik.
“I denoncuari i dytë B. A., si personi i vetëm i autorizuar për të kryer procedurat e prokurimit publik, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, veproi me neglizhencë në kryerjen e kompetencave dhe detyrave të tij në një mënyrë të tillë që, megjithëse ishte në dijeni se dokumentacioni i tenderit dhe specifikimet teknike të përgatitura në këtë mënyrë ishin përgatitur në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i publikoi ato në sistemin elektronik të prokurimit publik, duke mundësuar kështu zbatimin e të njëjtës.
Me kriteret e përcaktuara kështu diskriminuese dhe joproporcionale për përzgjedhje cilësore, duke zvogëluar konkurrencën, të denoncusrit dëmtuan Buxhetin e Shoqërisë Aksionare Shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M-NAV ShA Shkup në shumën prej 1.493.433,00 denarë, për të cilën shumë ia siguruan personit juridik Shoqërinë për Skanim, Përpunim dhe Ruajtje të Dokumenteve Contego DOO Shkup, me të cilën është lidhur kontratë”, thonë nga Policia Financiare.
Kujtojmë se më 5 janar të vitit 2024, disa persona, në krye me Bekim Nezirin, hynë me dhunë në M-NAV pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjerë të fluturimeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime. Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, bëri që Qeveria e atëhershme e RMV-së, më 9 janar, t’i shkarkojë drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.
Comments are closed for this post.