Në kuadër të aktivitetit “Java e Kulturës Maqedonase”, mbrëmë në Qendrën Kulturore Maqedonase në Tiranë u hap një ekspozitë me piktura që paraqesin kostume tradicionale maqedonase. U mbajt edhe një promovim i librit “Monografi mbi kostumin popullor maqedonas” nga autori Vladimir Janevski, kushtuar këtyre thesareve kulturore.
Në ekspozitën dhe promovimin e “Monografisë së Kostumeve Popullore Maqedonase”, nga Prof. Dr. Vladimir Janevski u prezantuan veshje dhe histori, dëshmi të gjalla të historisë, traditës dhe identitetit maqedonas, njoftoi Ambasada e Maqedonisë në Tiranë.
Shtohet se çdo kostum është një histori më vete – për dashurinë, punën dhe aftësitë e paraardhësve tanë.
Të endura dhe të qëndisura me duar, zemër dhe shpirt, simbole që përcjellin mesazhe përkatësie, bukurie dhe spiritualiteti. Ngjyrat, zbukurimet, materialet – të cilat nuk u zgjodhën rastësisht, mbartin kuptim brez pas brezi. Kostumet e ekspozuara janë dëshmi të pasurisë së artit popullor maqedonas dhe diversitetit të rajoneve, me historinë, ngjyrën dhe zërin e tyre, thuhet në njoftim.
Monografia zbulon një hulumtim të thellë mbi veshjet tradicionale, me dokumentim dhe analizë të saktë të kostumeve me dëshmi gojore të dëshmitarëve bashkëkohorë, me anë të të cilave autori arriti të paraqesë në detaje kostumet e plota dhe objektet specifike të përdorura nga fundi i shekullit të 19-të deri në fillim të shekullit të 20-të.
Le të jetë kjo ekspozitë një kujtesë se nuk duhet ta harrojmë të kaluarën, por ta çmojmë atë dhe ta ndajmë me brezat e rinj. Le të na kujtojë se rrënjët janë të forta dhe prej tyre rritet e ardhmja jonë, theksohet në njoftim.
Monografia është një punim gjithëpërfshirës që përfshin më shumë se tre dekada kërkimesh dhe pune në terren të përkushtuar në fushën e kulturës materiale, duke u përqendruar veçanërisht në veshjet tradicionale maqedonase.
Eventi “Java e Kulturës Maqedonase”, i cili mbahet në Tiranë për herë të parë, u hap zyrtarisht më 23 prill dhe përfundon nesër.
Comments are closed for this post.