Qeveria e Ukrainës miratoi rezolutë për zbatimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Maqedoninë, të miratuar në tetor të vitit 2022, njoftoi RBC-Ukrainë, duke iu referuar Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas përfaqësuesit tregtar të Ukrainës, Taras Kaçka, kjo rezolutë do të lejojë që marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Ukrainës dhe Maqedonisë, e ratifikuar në pranverë, të zbatohet plotësisht.

Gjithashtu do të mundësojë ndryshimin e mekanizmit të zhdoganimit të produkteve bujqësore dhe importimin e mallrave nga Maqedonia pa detyrime brenda kuotës tarifore.

Ndarja e kuotave në përputhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet vendeve do të kryhet nga autoritetet doganore mbi bazën “i pari vjen, i pari shërbehet”.

“Një arritje e rëndësishme për Ukrainën në lidhje me marrëveshjen është aderimi i Maqedonisë në konventën rajonale “Pan-Euro-Med”, e cila përcakton rregulla identike për origjinën e mallrave dhe certifikatën për transportin e mallrave EUR.1 duke konfirmuar statusin e origjinës preferenciale të mallit”, ka shpjeguar Kaçka.

Më herët, RBC-Ukraina raportoi se Ukraina dhe Maqedonia ranë dakord për “udhëtim transporti pa viza”, i cili parashikon heqjen e lejeve për transport dypalësh dhe transit për automjetet e standardit Euro-3 e lart.