Shorti i 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve i ka rezervuar disa superduele, përfshirë Atletico Madrid – Liverpool, Real Madrid – Manchester City dhe Chelsea Bayern Munich.

Kampioni në fuqi, Liverpooli duhet t’i shtrëngojë dhëmbët fort mu në fillim të fazës së eliminimit direkt, në përpjekje për ta mbrojtur titullin, pasi duhet ta rrëzojë njërën prej skuadrave më të forta në këtë garë, Atleticon e Diego Simeones, pas shortit të hedhur sot në Nyon, raporton Gazeta Express.

Shorti i fazës së 16 skuadrave më të mira solli edhe dy derbi të tjerë: Real Madrid kundër Manchester City, Chelsea kundër Bayern Munich dhe Borussia Dortmund kundër Paris Saint-Germain.

Skuadra e Zinedine Zidane rikthehet në Champions pas një sezoni dëshpërues edicionin e kaluar kur u eliminua po në këtë fazë nga Ajaxi, por e pret punë edhe më të vështirë ndaj skuadrës së Pep Guardiolës, i cili është në kërkim të lavdisë në Evropë me citizens.