Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike iu drejtua sot SPAK, për t’u njohur me akuzën lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Në një prononcim për medie, Berisha tha se ndihet më i motivuar se kurrë për fitore.
“Ndjehem më i motivuar se kurrë për t’i dhënë përgjigje këtij zotërisë. Më i motivuar se kurrë për fitore dhe për të gjitha”, tha ai.
I pyetur se çfarë vendimi pret sot nga SPAK, Berisha tha se është një trillim fund e krye.
“Pres një vendim politik të Edi Ramës, i cili ka zgjedhur mënyrën atërore për të siguruar mandatin e katërt, por atë do ia djegim”, shtoi ai.
Berisha tha se “Edi Rama nuk mund t’ia caktojë kurrë kandidatin as kryeministrin, as kryetarin e partisë kësaj partie (PD)”.
“Dua t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, rotacionin e pushtetit, fitoren e opozitës”, tha ai.
Forca të shumta policie janë vendosur jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ku ish-kryeministrit Sali Berisha do i paraqitet akuza për dosjen “Partizani”.
Dhjetëra mbështetës dhe deputetët e grupit parlamentar të PD-së ndodhen po ashtu para SPAK për të protestuar në mbështetje, si shprehen ata, të lirimit të liderit të opozitës.
Comments are closed for this post.