Tashmë është zyrtare, Filipe Kutinjo është lojtari i ri i Aston Vilës.

Fantazisti brazilian ka firmosur një kontratë 6-mujore me klubin nga Birmingami teksa është transferuar me formulën e huazimit të thjeshtë deri në qershor nga Barcelona te skuadra e Aston Vilës.

29-vjeçari do të mbajë veshur fanellën me numrin 23 teksa është prezantuar edhe nga skuadra e tij e re nëpërmjet llogarive të saj zyrtare.

Gjatë këtij sezoni me fanellën e katalanasve në La Liga, braziliani është aktivizuar gjithsej në 12 ndeshje nga ku ka mundur të realizojë dhe dy gola.

Kutinjo rikthehet sërish në Premier Ligë pas 4 vitesh mungesë, ku më parë ka mbajtur veshur fanellën e Liverpulit.