Kryeministri Zoran Zaev në intervistën e sontme në televizionin Kanal 5, foli për pandeminë, duke njoftuar se nuk do të ketë karantinë si masë kundër përhapjes së koronavirusit

Ai shtoi se ajo për të cilën të gjithë janë përqendruar nga komisioni shëndetësor në shtabin e krizave shtetërore deri te qeveria janë masat e mbrojtjes personale.

“Këtu vendosim të gjitha shpresat tona. Të gjithë janë të vetëdijshëm, qytetarët e dinë se gjithçka në të ardhmen do të varet nga numri i të infektuarve, numri i vdekjeve, sa do të zgjasë kjo pandemi varet nga përgjegjësia jonë personale. Sa më shumë që të vendosim maska, të bëjmë dezinfektim, të mbajmë distancë, nuk duhet të caktojmë termine për çdo gjë, mund të bëjmë një pjesë të punës në telefon”, tha Zaev.

Me uljen e temperaturave, siç tha ai, rreziku i rritjes së numrit të pacientëve rritet dhe për këtë është shumë e rëndësishme që të gjithë të respektojnë masat pa kushte. Qeveria, siç tha Zaev, nuk po konsideron një karantinë të re si masë, por nëse Komisioni kompetent propozon argumente, ai opsion nuk përjashtohet.

Ai theksoi se masat e vetme në lidhje me aspektin shëndetësor që Qeveria aktualisht po konsideron janë mënyra se si të inkurajohen dhe shpërblehen punëtorët shëndetësorë.

Kryeministri njoftoi se në periudhën e ardhshme do të rritet kapaciteti i institucioneve publike për testime dhe do të prokurohen teste shumë më të lira, të cilat do të jenë në gjendje të zbulojnë rastet e infektuara dhe kontaktet e tyre shumë më shpejt dhe t’i izolojnë ato.

“OBSH tashmë ka aprovuar teste nga kompani të reja, të cilat janë 30, 40, 50 për qind më të lira se këto tani dhe rezultatet merren për 20 minuta. Shpresoj se kjo do të rrisë kapacitetin e institucioneve shëndetësore publike dhe pastaj do të ndikojë në ato private, sepse askush nuk do të paguajë më shumë nëse ekziston një mundësi e tillë”, tha kryeministri.

Ai theksoi se është shumë i kënaqur nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe punëtorët shëndetësorë.