Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” ka folur për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për veton bullgare, por edhe për mbështetjen greke, për Marrëveshjen e Prespës, si dhe për marrëdhëniet me ish-kryeministrin dhe atë aktual të Greqisë. Çdo ndërhyrje në identitetin maqedonas i quan si të pa pranueshme.

Zaev bën të ditur se Maqedonia e Veriut edhe pse kishte raporteve pozitive nga Komisioni Evropian, nuk i filloi negociatat me BE për shkak të vetos Bullgare.

“Në shekullin 21, përcaktimi i historisë së një kombi tjetër nuk është në përputhje me frymën evropiane, sepse ne kemi nevojë për të ndërtuar një të ardhme së bashku. Për Maqedoninë Veriore, për popullin maqedonas, për të gjithë qytetarët e vendit tonë, çdo ndërhyrje në identitetin maqedonas është e papranueshme. Unë besoj se do të gjejmë zgjidhje të përbashkëta me Bullgarinë dhe do të ndërtojmë një të ardhme cilësore për ne dhe gjeneratat e ardhshme”.

Ndërkaq duke folur për marrëdhëniet në mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut njoftonë se Greqia mbetet një “ndërmjetës dhe mbështetës i fortë” i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Kolegu im, Micotakis më siguroi kategorikisht se Greqia mbetet një ndërmjetës dhe mbështetës i fortë i vendit tonë në procesin e ardhshëm të negociatave me Bashkimin Evropian. Ne të dy u angazhuam për zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të detyrimeve dypalëshe të përcaktuara në Marrëveshjen e Prespës. Në të gjitha takimet tona, ne diskutojmë për bashkëpunim më të madh ekonomik që duhet të vazhdojë dhe avancohet”, tha Zaev.

Ai shton se tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Greqi, përkoi vullneti i fortë politik i udhëheqësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të ndryshuar imazhin e Ballkanit. Duke shtuar se para Marrëveshjes së Prespës “të dyja vendet kishin një palë të tretë në tryezë”, ndërkaq tani, siç shprehet kryeministri Zaev jemi aleatë të NATO-s, ndërsa anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike “është kontributi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin tonë”, por dhe garancia më e fortë e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.