Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, ka reaguar ndaj interpelancës kundër tij, që u dorëzuar nga deputetët e OBRM-PDUKM-së.
Xhaferi në reagimin e tij, thotë se deputetët e opozitës maqedonase, të udhëhequr nga Nikolla Micevski, me qëllim plasojnë të pavërteta në opinion.
“Deputetët e OBRM-PDUKM-së, gjithsesi janë të vetëdijshëm se për qëllime ditore-politike, të nxitur nga selia e tyre partiake, plasojnë të pavërteta të vrazhda me konstatimet në interpelancë se i cenoj Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit. Në mbrëmjen e 25 majit, dyert e sallës ishin të mbyllura që të munden shërbimet e Kuvendit të përcaktojnë numrin e deputeteve të pranishëm, respektivisht nëse ka kuorum për të kaluar në votim”, thuhet në përgjigjen e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi në përgjigjen e adresuar thekson miratimin e Kodit Etik dhe raportet e fundit vjetore të Entit Shtetëror të Revizionit për transparencë institucionale. Ai i akuzon deputetët e opozitës maqedonase i akuzon se në kohën kur nuk e njihnin si kryetar Kuvendi, nuk i hiqeshin nga kabineti për punët e tyre private.
“E vërtetë e pjesshme është edhe ajo se OBRM-PDUKM-ja dhe koalicioni, në një periudhë kur nuk patën sukses me qëllimet e tyre të mbrapshta më 27 prill të vitit 2017, nuk ishin të pranishëm në koordinimet te mua, edhe pse ishin gjithmonë të ftuar sipas rregullit. Por ama, është e vërtetë absolute se koordinatori dhe deputetët e këtij Grupi Parlamentar, edhe krahas mos pranisë në koordinimet, si manovër e tyre politike para opinionit, në atë periudhë, praktikisht nuk dilnin prej kabinetit tim, kur vinin bile edhe për nevoja dhe kërkesa private”, thuhet në përgjigjen e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Comments are closed for this post.