Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në takim me gazetarët sot tha se zgjedhjet mund të shtyhen, derisa nuk shpallen zyrtarisht.

Ai tha se planifikon që të thërrasë seancë plenare për më 3 janar, për zgjedhjen e qeverisë teknike, por njoftoi se nuk ka informacione nëse kryeministri Zoran Zaev do të jep dorëheqje.

Ai shtoi se hipotetikisht ekziston mundësia që kryeministri të mos jep dorëheqje, ndërsa kjo do të thotë se nuk do të zgjidhet qeveri teknike. Por siç tha, nëse qeveria teknike zgjedhet më 3 janar, atëherë zgjedhjet duhet të mbahen më 12 prill.

“Nuk është e mundur të shtyhen zgjedhjet pasi të formohet qeveria teknike, sepse ajo qeveri sipas marrëveshjes fillestare ka një mandat të shkurtër për të organizuar zgjedhjet dhe jo për të zgjatur afatin e tyre”, tha Xhaferi.

Ai pret që seanca për qeverinë teknike të mbahet më 3 janar, kur edhe do të njoftojë për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverinë e re.