Nënë Tereza është simbol i humanitetit të pafund, të dashurisë ndaj njeriut, kujdesit dhe dhembshurisë ndaj të sëmurëve dhe të varfërve dhe të atyre jo aq me fat në jetë, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin në manifestimin “Ditët e Shën Nënë Terezës”, që u mbajt sot në sheshin “Maqedonia” me rastin e 110 vjetorit të lindjes së saj.
Në mënyrë solemne ishte zbuluar pllaka përkujtimore e restauruar në vendin e shtëpisë së lindjes të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Tereza në qendër të Shkupit.
Para kësaj pllake përkujtimore e cila e simbolizon shtëpinë e lindjes të kësaj shqiptareje e respektuar botërisht, dua ta shpreh dhe ta ndaj ndjenjën e krenarisë së sinqertë që jam pjesë e këtij tubimi”, theksoi Xhaferi.
Sot, potencoi Xhaferi, kur bota po përballet me pandeminë e Kovid-19, kur shohim rrezik për shëndetin e të gjithë njerëzimit, goditje të madhe mbi themelet e çdo sistemi shëndetësor dhe ekonomik, të gjithë në mënyrë të barabartë kemi nevojë për mbështetje të ndërsjellë.
“Jetojmë në një kohë të çuditshme me sfida të reja dhe të panjohura, megjithatë a nuk i ka çdo etapë e zhvillimit shoqëror vështirësitë e veta karakteristike. Sidoqoftë ajo që mbetet e njëjtë para çdo vështirësie pa marrë parasysh sa është e panjohur është dora e zgjatur e njeriut, solidaritetit dhe sakrifica e komoditetit dhe relaksimit, sepse fatkeqësia troket në çdo derë. U bëj apel të gjithëve të jemi të vetëdijshëm dhe përgjegjës, të kujdesemi për njëri-tjetrin, të kujdesemi për të afërmit, të njohurit dhe të panjohurit dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë për fitoren e klsa të keqe e cila e ka kapluar botën”, tha Xhaferi.
Theksoi se kjo është sfida jonë, kjo është beteja që brezat e ardhshëm duhet ta udhëheqin, që ta mposhtim armikun bashkëkohor aq të të vogël, ndërsa megjithatë aq i madh. Siç ka thënë e madhja Nënë Tereza “Shkoni në shtëpi dhe duajeni familjen tuaj”, sepse fillohet nga familja”, shtoi Xhaferi.
Në suaza të manifestimit u promovua edhe libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”.
Drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Asani tha se në libër është prezantuar jeta e Nënë Terezës në Shkupin e saj e deri në Kalkutë. ky libër, theksoi, është një sagë për familjet katolike në Shkup.
“Së shpejti do të bëjmë propozim dhe elaborat deri te Kuvendi me qëllim që ta shpallim Nënë Terezën për thesar kombëtar, ashtu që ajo të bëhet edhe letërnjoftim i vendit tonë gjithmonë me shpresë se përfaqësuesit e zgjedhur të popullit do ta mbështesin këtë propozim” potencoi Asani.
Comments are closed for this post.