BDI-së opozitare i mbushet goja me patriotizëm të rrejshëm pasi ka mbushur xhepat!”. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është përkufizimi i krimit, korrupsionit dhe reketimit të biznesit dhe qytetarëve, veçanërisht shqiptarëve. Kjo parti, me një stil qeverisjeje tipike për regjimet afrikane dhe latine, i ka bërë qytetarët peng të politikave të tyre të gabuara dhe të papërgjegjshme. Ndërkohë që një grup i vogël zyrtarësh të kësaj partie pasuroheshin dhe jetonin në luks, shqiptari i thjeshtë, që bukën e fiton me ndershmëri, vuante për ilaçe, tekste dhe nevoja të tjera elementare.

Të nderuar qytetarë, koalicioni VLEN nuk do të lejojë që BDI të përdorë shqiptarët si mburojë për sundimin e tyre kriminal. Nuk do të heshtim se BDI në opozitë e ka gojën plot patriotizëm të rrejshëm, pasi kanë mbushur xhepat. Nuk do të lëmë të harrohen skandalet. Ramiz Merko, i njohur si “sherifi lokal” i Strugës, krijoi perandorinë e tij gjatë katër mandateve të kryebashkiakut, prandaj Departamenti Amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë për korrupsion.

Zëvendësministri i Brendshëm Nazim Bushi së bashku me djalin e tij pushuan në hotele superluksoze në Turqi ku një natë kushtonte 20 mijë euro. Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, ka blerë Soravinë për 20 milionë euro dhe më pas është përjetësuar duke festuar me fishekzjarre. Barlet Xhaferi, djali i asokohe njeriu i parë i Kuvendit, Talat Xhaferi, tërhoqi vëmendjen kur Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit njoftoi se ai kishte dhënë provimin e jurisprudencës para se të diplomohej dhe më pas ishte bërë prokuror. Për të mos përmendur marrëveshjet e turbullta të lotarisë dhe lojërat e inskenuara të fatit te Prparim Bajrami dhe Artan Grubi që sillnin lojërat e fatit në shtëpitë e qytetarëve.

Presim që organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre për të cilën paguajnë qytetarët dhe të rikthejnë besimin në sundimin e ligjit dhe barazinë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia politike, etnike apo fetare.

Oktapodi i krimit dhe korrupsionit Bashkimi Demokratik për Integrim dhe satelitët e tij që gjunjëzohen nëpër korridoret para zyrave të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së për të marrë amnisti për krimin, nuk synojnë të përfaqësojnë shqiptarët, por të shpëtojnë veten nga ndjekja penale.

VLEN me staf profesional dhe të ndershëm në Qeveri punon me përkushtim dhe avokon për shpenzim racional dhe ekonomik të parasë publike.

Hakmarrja e Partisë JO, por përgjegjësia PO! Vazhdo te PUNA!