Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi vizitë kthyese në Republikën e Shqipërisë, duke e udhëhequr Delegacionin e përbërë nga deputetet Julija Tushevska dhe Feride Haxhiu, anëtare të Grupit Parlamentar të Kuvendit për Bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në takimin me Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, u theksua bashkëpunimi i jashtëzakonshëm dhe dinamik i dy vendeve, me takime të shumta të realizuara në të gjitha nivelet, i cili është tregues dhe shembull i bashkëpunimit cilësor midis dy vendeve.
Kryetari Gashi uroi Shqipërinë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe shprehu pritshmërinë që të dy vendet edhe më tutje të vazhdojnë të bashkëpunojnë për planin e integrimit evropian. U nënvizua se zgjerimi është një nga politikat më të mira të BE-së si domosdoshmëri gjeostrategjike dhe është investim afatgjatë për të gjithë Evropën në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik.
Në kontekst të bashkëpunimit parlamentar, i cili ka potenciale të shumta, të dy kryetarët theksuan mundësinë e bashkëpunimit më të madh ndërmjet komisioneve për çështje evropiane dhe këshillave kombëtarë për integrime evropiane, duke pasur parasysh interesat e përbashkëta të të dy vendeve në procesin e integrimit evropian.
Bashkëbiseduesit theksuan se e vetmja rrugë për avancim më të shpejtë ekonomik të rajonit është tregu rajonal dhe integrimi i përbashkët në të, sepse është e natyrshme që marrëdhëniet e mira ekonomike në rajon të shoqërohen me marrëdhënie të mira politike dhe vetëm në këtë mënyrë rajoni do të avancohet.
Delegacioni i Kuvendit, i udhëhequr nga Kryetari Gashi, u prit edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë të cilit u ndanë pikëpamjet për sfidat rajonale, modalitetet e bashkëpunimit bilateral midis dy vendeve, duke shfrytëzuar potencialet e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, por edhe shkëmbimit kulturor e turistik.
U theksua rëndësia e faktorit politik shqiptar në Republikën e Maqedonisë, si dhe politika konstruktive e Republikës së Shqipërisë ndaj zhvillimeve në rajon dhe planit të integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian.
Si aleatë të NATO-s, u theksua se të dy vendet zbatojnë politika paqeruajtëse, në të mirë të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke marrë parasysh faktin se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë janë pjesë e Krahut Jugor të NATO-s, u theksua nevoja për bashkëpunim të forcuar dhe dinamik, i cili do të jetë përgjigje ndaj kërcënimeve reale të çdo lloji.
Gjatë bisedimeve u diskutuan mundësitë e shfrytëzimit të fondeve evropiane për projektet infrastrukturore, të cilat do të sjellin përfitim për qytetarët e të dy vendeve.
Comments are closed for this post.