Qyteti kinez ku u paraqit për herë të parë një virus i ri, ka mbyllur përkohësisht transportin e tij publik. Autoritetet po mundohen të parandalojnë përhapjen e virusit, nga i cili deri më tani kanë vdekur 17 njerëz. Rreth 11 milionë banorë të Vuhanit janë këshilluar të mos lëvizin nga qyteti, në kohën kur shumë banorë udhëtojnë për festën e Vitit të Ri kinez.

Një qytet i dytë, Huangangang, do të izolohet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës. Televizioni lokal kinez transmetoi se “banorët nuk duhet të largohen nga qyteti nëse nuk ekzistojnë arsye shumë të veçanta.” Qyteti Huanggang shtrihet në brigjet e lumit Yangtze dhe pozicionohet më pak se 100 kilometra në juglindje të Vuhanit, i cili ka një popullsi prej rreth 11 milion banorësh. Deri më tani janë konfirmuar 617 të prekur dhe 17 të vdekur si pasojë e koronavirusit në Kinë.

Patogjeni mendohej se e kishte zanafillën nga lakuriqët e natës të infektuar, por pas fotografimit gjenetik dhe marrjes së mostrave nga pacientët, shkencëtarët tregojnë se burim i virusit mund të jenë gjarpërinjtë që tregtoheshin ilegalisht në tregun e Vuhanit, dhe që nga ana e tyre mund ta kenë zhvilluar virusin në formën aktuale prej konsumimit të zogjve të natës.

Virusi që paraqitet përmes simptomave që përfshijnë temperaturë, koll dhe vështirësi në frymëmarrje, është përhapur edhe në SHBA, Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi. Raportohet se janë konfirmuar më shumë se 500 raste të personave të infektuar me këtë virus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do të shqyrtojë shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të virusit. Në fillim, shkencëtarët thanë se virusi mund të transmetohet vetëm nga kafshët tek njeriu, mirëpo autoritetet kineze njoftuan se sëmundja kalon edhe nga njeriu në njeri.

Nga Australia në Amerikë, autoritetet po marrin masa të rrepta në pikat e aeroporteve për të ndalur transmetimin më tej të sëmundjes. Masa informuese për udhëtarët në aeroporte paralajmëruan edhe autoritetet në Maqedoni. Në aeroportin italian të Fiumiçinos në Romë, 202 pasagjerë të ardhur nga qyteti zanafillë i virusit, ai i Vuhanit, iu nënshtruan skanimeve të sanitare nga personeli i pajisur me maska dhe veshje mbrojtëse. Mes dy qyteteve ka çdo javë deri 3 linja fluturimi direkte, por rezultatet fillestare nuk kanë nxjerrë asnjë si person bartës të virusit vdekjeprurës.