Tetë sportistë nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë në Lojërat Olimipike Verore që do të mbahen në Tokio nga 23 korrik deri më 8 gusht. Në mesin e tyre është vetëm një sportiste shqiptare, xhudistja Arbëresha Rexhepi.

Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut (KOM) sot i prezantoi sportistët pjesëmarrës: Dejan Georgievski në taekvondo, notuesit Mia Blazhevska Eminova dhe Filip Derkoski, Jovan Stojkoski në atletikë, Arbresha Rexhepi në xhudo, Borjan Brankovski në disiplinën e gjuajtjes me pistoletë ajrore, Puliksenija Jovanovska në karate dhe në mundje është Mogamedxhi Nurov. Tek ky i fundit është mosmarrëveshja kryesore, pasi që është paraqitur trajneri Mogamed Ibragimov dhe jo trajneri i propozuar nga Federata e Mundjes së Maqedonisë, Lulzim Vrenezi. Ky i fundit ka theksuar se është bërë padrejtësi e madhe nga ana e KOM dhe një vendim skandaloz, pasi që Federata e Mundjes ka kërkuar që Vrenezi të jetë trajneri që do të udhëtojë drejt Tokios. Sipas tij, lojërat e pista janë bërë nga drejtues të KOM, të cilët për qëllime të tyre të fshehta kanë bërë që të shkoj trajner tjetër gjegjësisht Mogamed Ibragimovi.

Vrenezi ka paralajmëruar se do të ngrejë padi ndaj KOM dhe se për këto shkelje do të informojë edhe Komitetin Ndërkombëtar Olimpik, që edhe më pare është informuar.

Por, Vladimir Bogoevski, drejtor sportiv i KOM ka dhënë versionin e tij, duke thënë se Ibragimov shkon në Tokio sepse sipas arsyetimeve të tij ai vite me radhë është trajner i Nurovit. Por edhe këtë e ka përgënjeshtruar Vrenezi duke thënë se Nurovin e udhëheq nga viti 2015 dhe se gjitha pretendimet e krerëve të KOM janë manipulime dhe mashtrime.