Sot, zyrtarisht u hap pjesa rrugore e sapo përfunduar e bulevardit Bosnjë dhe Hercegovinë në pjesën veriore të Shkupit. Në konferencën për media me rastin e hapjes së bulevardit u drejtua Kryetari Petre Shilegov.
– Sot po i lëshojmë në përdorim 500 metrat e fundit të bulevardit të ri Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili bashkohet me bulevardin Sllovenia. Për realizimin e këtij projekti kapital nga Buxheti i Qytetit të Shkupit, janë shpenzuar rreth 100 milion denarë me TVSH të llogaritur. Investimi i këtyre mjeteve krijoi kushte për zhvillim serioz të infrastrukturës, por edhe zhvillim serioz të qytetit në pjesën veriore dhe është pjesë e konceptit për të cilin fola me qytetarët gjatë vitit 2017, unaza sekondare veriore – tha Shilegov.
Ai shtoi se rruga e dikurshme Bosnjë dhe Hercegovinë e ndërtuar para 40 vjetëve dhe që nga ajo kohë asfalti nuk është ndërruar, ndërsa rruga ishte vetëm 7 metra e gjerë.
– Tani kemi një bulevard sipas të gjitha standardeve botërore dhe Evropiane, 40 metra të gjerë, me shtigje për këmbësorë dhe biçikleta në tërë gjatësinë e saj, rruga është tashmë e gatshme, shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta gjithashtu, dhe në periudhën në vijim ka ngelur ta rregullojmë gjelbërimin e bulevardit. Kemi instaluar ndriçim të ri LED në këtë bulevard. Bulevardi i ri për këtë pjesë të qytetit do të jetë një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e tij, veçanërisht duke pasur parasysh që bashkohet me bulevardin Nikolla Karev i cili është në fazën e tij përfundimtare, si dhe me qarkoren në Momin Potok të cilin duhet të fillojmë të ndërtojmë gjatë muajit korrik – tha Shilegov.
Bëhet fjalë për bulevard plotësisht të ri me gjatësi totale prej rreth 1.700 metra, gjerësi 40 metra, me 6 korsi, shtigje për këmbësorë dhe biçikleta, gjelbërim qendror dhe anësor në të dy anët dhe ndriçim të ri rrugor, nga bulevardi Sllovenia në bulevardin Hristijan Todorovski Karposh. Bulevardi i ri Bosnjë dhe Hercegovinë së bashku me bulevardin Sllovenia do të lidhin Karposhin, Butelin, Shuto Orizaren dhe Çairin, dhe së bashku me bulevardin e ri Hristijan Todorovski Karposh për banorët e kësaj pjese të qytetit do të jetë një dalje më e shpejtë në unazën e Shkupit . Zhvillimi i infrastrukturës rrugore në pjesën veriore të qytetit, përveç përmirësimit të lëvizshmërisë së popullsisë në këtë pjesë të qytetit, do të nënkuptojë gjithashtu krijimin e kushteve për përmirësimin e punës së bizneseve lokale që veprojnë në këtë pjesë të qytetit.
Kryetari Shilegov gjithashtu falënderoi banorët e komunave Butel, Çair dhe Shuto Orizare për durimin që treguan gjatë ndërtimit të bulevardit dhe theksoi se hap pas hapi Shkupi rritet në një qytet me lëvizshmëri urbane të zhvilluar dhe qëndrueshme që do të thotë trafik i sigurt dhe efikas dhe mjedis më i pastër jetësor.
Përveç Kryetarit Shilegov, në këtë ngjarje morën pjesë Fatmir Bytiqi, Zëvendës-Kryeministër për çështjet ekonomike në Qeverinë e RVM, Kryetarët e Komunave Çair dhe Buteli, Visar Ganiu dhe Velimir Smilevski, Kryetarja e Këshillit të Qytetit të Shkupit Ljubica Jançeva dhe këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit.