Kompania “Twitter” planifikon të ndalojë të gjitha reklamat politike në të gjithë botën, duke thënë se dërgimi i mesazheve të tilla “duhet të fitohet, jo të blihet”.

“Ndërsa reklamimi në internet është tepër i fuqishëm dhe shumë efektiv për reklamuesit tregtar, kjo fuqi sjell rreziqe të konsiderueshme për politikën”, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë, Jack Dorsey.

Kompania tjetër e medieve sociale, “Facebook” së fundmi ka përjashtuar ndalimin e reklamave politike. Themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, ka mbrojtur politikën e kompanisë së tij.

“Në një demokraci, nuk mendoj se është e drejtë për kompanitë private të censurojnë politikanët ose lajmet”, ka thënë ai gjatë një konference me gazetarët.

Vendimi për ndalimin e reklamave politike nga ana e “Twitter”-it, ngjalli reagime të ndryshme në dy kampet politike të ShBA-së për zgjedhjet e vitit 2020.

Brad Parscale, menaxher i fushatës për rizgjedhje të presidentit Donald Trump, ka thënë se ndalimi ishte “një përpjekje tjetër për të heshtur Trumpin dhe konservatorët”.

Por, Bill Russo, zëdhënës i fushatës së kandidatit të demokratëve, Joe Biden, ka thënë se “kur përballemi me një zgjedhje midis dollarëve të reklamave dhe integritetit të demokracisë sonë, është inkurajuese që të ardhurat financiare nuk fituan”.

Ndalimi i reklamave politike nga ana e “Twitter”-it do të zbatohet nga 22 nëntori. Detajet të plota lidhur me këtë masë do të bëhen të ditura më 15 nëntor.