Tre firma deri tani kanë paraqitur interesim për tenderin për stacionin e kompresorit të Qendrës klinike “Nëna Terezë” në Shkup. Informacionin për MIA-n e ka konfirmuar Stojçe Nikollovski, person ekspert për vizita në terren, përgjegjës nga komisioni dhe udhëheqës i Sektorit për punë teknike në IP në sferën e shëndetësisë për nevojat e Institucioneve publike shëndetësore, Klinikave universitare, Institutit dhe Qendrës urgjente – Shkup.
“Tre firmat e interesuara kanë vizituar lokacionin për të parë se çfarë do të duhej të furnizohet dhe ku ta montojë atë”, tha Nikollovski në deklaratën për MIA-n.
Në muajin maj, sallat e operacionit të Qendrës klinike u mbyllën për shkak të erës së pakëndshme. Për intervenime emergjente pacientët janë drejtuar në Klinikën universitare për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” dhe Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”.
Është shpallur tender për furnizimin e një stacioni të ri të kompresorit i cili dështoi për shkak se nuk arriti asnjë ofertë.
Më 12 shtator përfundon tenderi i ri, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari shpreson se tani do të aplikojë ndonjë firmë.
“Shpresoj se do të paraqitet ndonjë, që të paktën ta zgjidhim këtë problem deri në fund të vitit”, u përgjigj Taravari në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në Klinikën universitare për kirurgji digjestive kohë më parë.
Në fund të korrikut, ministri madje tha se nuk mund të parashikohet nëse do të ketë të interesuar, por se ky problem nuk duhet të zgjatet. Ai nuk përjashtoi bisedimet e drejtpërdrejta mes Ministrisë dhe një kontraktuesi, nëse nuk paraqitet ndonjë kompani e interesuar.
Comments are closed for this post.