Raportuesi i Parlamentit Europian për Maqedoninë, Tomas Vajc, në një deklaratë për televizionin bullgar BTV, theksoi qartë se gjuha dhe identiteti maqedonas theksohen në Raportin e Parlamentit Europian për Republikën e Maqedonisë dhe se kjo nuk duhet parë si problem. Ai e deklaroi këtë para prezantimit të Raportit për Maqedoninë të mërkurën në Bruksel. Në një intervistë për 360 Gradë, Vajc deklaroi se për të maqedonasit janë maqedonas dhe se gjuha maqedonase është maqedonase. Raporti përmend qartë realitetin e identitetit dhe gjuhës së pavarur maqedonase, tha ai, për çka u kritikua ashpër nga eurodeputetët bullgarë.
“Ne nuk votojmë për njohjen e gjuhës maqedonase. Fakti është se Raporti i Parlamentit Europian për Republikën e Maqedonisë së Veriut përmend gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe unë nuk shoh asnjë problem me këtë. Me gjithë respektin e duhur – të gjitha kulturat, identitetet dhe kombësitë në Europë janë të ndërthurura ngushtë. E them këtë si austriak, si slloven, si hungarez, si qytetar i Bashkimit Europian”, u shpreh Tomas Vajc, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Europian.
Në lidhje me deklaratën e Vajcit, nga qeveria me qëndrim se kjo dëshmon se politika bullgare është retrograde dhe andaj Maqedonia duhet të bashkohet.
“Ky është edhe një konfirmim për politikën retrograde që e udhëheqin, por nga ana tjetër ky është edhe një tregues se të gjithë aktorët politikë në Maqedoni duhet të bashkohen për interesat tona të përbashkëta”, thonë nga Qeveria.
Paralajmërimet se Parlamenti Europian përfundimisht do të miratojë një Raport që përmend identitetin dhe gjuhën maqedonase kanë ndezur atmosferën në Bullgari. Dje, Parlamenti Bullgar miratoi gjithashtu një deklaratë të re duke theksuar se çdo përpjekje për të rinegociuar marrëveshjet e arritura tashmë është e papranueshme.
“Bullgaria do të vazhdojë t’i përmbahet asaj që u ra dakord në vitin 2022. Ne nuk do të devijojmë as një centimetër. Ne nuk do të ndalemi së përsërituri se respektimi i kërkesave europiane është ajo që është e nevojshme për të arritur përparim”, tha Georg Georgiev, ministër i Jashtëm i Bullgarisë. Këto ditë kryeministri Mickoski në prag të prezantimit të Raportit i thirri të gjithë partitë politike të ndikojnë te partnerët e tyre europianë dhe të sigurojnë përkrahje për raportin ku theksohet veçantia e gjuhës dhe identitetit maqedonas.
“Ju lutem sinqerisht, jo vetëm ju, këtu shoh edhe Zajkovën dhe të tjerët që janë pjesë e familjeve të caktuara politike që kanë eurodeputetë për të lobuar në drejtim të pranimit të kësaj për të cilën po flasim. U bëj thirrje të gjithëve të japin mbështetjen e tyre në mënyrë që të dalim të gjithë së bashku dhe t’i bindim ata eurodeputetë”, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryetari i LSDM, Venko Filipçe dje tha se ka lobuar te socialistët europianë që teksti të votohet dhe tha se ky është interes i përbashkët. Ai pyeti nëse kjo do të jetë garancia e mjaftueshme që të zhbllokohet procesi eurointegrues.
Comments are closed for this post.