Gjykata Penale para dhjetë ditëve anuloi arrestin shtëpiak për ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, për rastin Titanik, që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore. Mbrojtja e Janakieskit thotë se anulimi vjen si rezultat i asaj që nuk mundet paralelisht të jenë aktive dy masa për arrest shtëpiak. Por, Janakieski mbetet i burgosur në shtëpi për ngjarjet e 27 prillit, ku ai dyshohet edhe për këtë rast.

Për 27 prillin kam arrest shtëpiak dhe ndalim për komunikim me personat e përfshirë në këtë ngjarje. Me ligj kjo do të thotë që unë nuk mund shkëmbej e-maile dhe të komunikoj përmes telefonit me ta- deklaroi Mile Janakieski, ish ministër i Transportit.

Kjo do të thotë që Janakieski nuk mund të komunikojë me ish-shefin Nikolla Gruevski, por edhe me anëtarët e partisë Spiro Ristovski dhe Trajko Veljanovski. Të gjithë janë të dyshuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar për të enjten e përgjakshme në Kuvend, duke iu referuar organizatorëve dhe është në fazën hetimore. Janakieski të hënën në Gjykatë u paraqit për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike. Kjo lëndë është në procedurën e provave dhe përveç tij, të akuzuar për organizim kriminel, shkelje të drejtës së votës, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe shpërdorim të fondeve gjatë financimit të fushatës zgjedhore janë i arratisuri Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska, Kiril Bozhinovski, Ilija Dimovski dhe të tjerë .Për këtë lëndë në arrest shtëpiak është vetëm Bozhinovski. Seanca u shty për shkak të mungesës së gjykatësit Ognen Stavrev./Alsat