Gazeta e njohur britanike ”The Guardian”, gjen tri fjalë, si më të përshtatshmet për të përshkruar një vend si Shqipëria: i çuditshëm, antik dhe i mrekullueshëm.

Prestigjiozja britanik, në shkrimin për Shqipërinë, thekson se është një vend vërtet i admirueshëm për t’u vizituar, pa më të voglin hezitim.

Shqipëria, ka mundësi të jetë një nga desitnacionet turistike që ende nuk i keni vizituar. Ka shumë për të zbuluar, ndërmjet kryqëzimeve kulturore të një vendi që ju siguron një aventurë të vërtetë”, – shkruan Fiona Dunlop, për gazetën e njohur britanike.

Në reportazh, ajo tregon rrugëtimin nëpër Shqipëri, duke e titulluar: “Në shtegun e të papriturës-një udhëtim tokësor nëpër Shqipëri”.

“Më në fund, ia dolëm të mbërrinim në zonën që përfaqëson një pjesë të bukurisë së këtij vendi, “Syri i kaltër”, që ndodhet në një luginë të gjelbër. Këtu, ndodhej një burim që dilte nga një shkëmb karstik dhe derdhej në liqen, me ujin që karakterizohet nga ngjyrat e çdo varianti të mundshëm të smeraldit,” – shkruan mes të tjerash, ”The Guardian”.

Po ashtu, artikulli nuk ka lënë jashtë vëmendjes, as tolerancën fetare në Shqipëri, duke i përshkruar shqiptarët si popull multietink dhe me harmoni ndërfetare.

“Berati ishte qyteti i lashtë, ku ne kuptuam sesi Krishtërimi, Islamizmi, Bektashizmi dhe Judaizmi kanë bashkëjetuar në harmoni, për shekuj me radhë në Shqipëri. Kjo tolerancë vihet re edhe me “Xhaminë e sulltanit”, të shekullit XV, ende në përdorim, një muze i vogël hebre dhe një katedrale madhështore ortodokse.”