Disa veprime të Prokurorisë së Specializuar në Hagë po kundërshtohen fuqishëm nga mbrojtja e krerëve të UÇK-së.
Kësisoj, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, dorëzuar një ankesë për vendimin e gjyqtarit paraprak në lidhje me kërkesën e prokurorisë për ndryshimin e listës së provave dhe autorizimin e masave mbrojtëse të ndërlidhura.
Keohe në parashtresat e tij ka thënë se gjykatësi i procedurës paraprake kishte identifikuar shkelje nga ana e prokurorisë në procesin e zbulimit të provave e megjithatë nuk kishte marrë vendimin e duhur për anulimin e tyre.
Ai thotë se vendimi në fjalë është thelbësor për procesin e gjykimit.
“Tri çështjet e identifikuara janë të ankimueshme pasi ato dalin nga Vendimi i kundërshtuar dhe kontestojnë gjetjet specifike të bëra nga gjyqtari i procedurës paraprake. Në formulimin e këtyre çështjeve, mbrojtja nuk pohon thjesht se gjyqtari i procedurës paraprake duhet të kishte vendosur ndryshe për çështjen e një mjeti të përshtatshëm për shkeljet e zbulimit të ZPS-së, por përkundrazi, ka identifikuar gabime specifike që minojnë gjetjet dhe garantojnë anulimin e tyre. Si të tilla, ato nuk janë thjesht mosmarrëveshje me Vendimin e kundërshtuar, por identifikojnë tema diskrete, zgjidhja e të cilave është thelbësore për përcaktimin e çështjeve që lindin në kauzën gjyqësore në shqyrtim”, ka thënë Keohe në shkresën e tij.
Sipas Keohes, gjetjet në fjalë nga gjykatësi kanë një ndikim të menjëhershëm dhe konkret në zhvillimin e procedurës paragjyqësore dhe në qasjen që po bëhet ndaj kësaj çështjeje.
“Në identifikimin e dështimit të gjyqtarit të procedurës paraprake për të marrë në konsideratë ose për t’i dhënë peshë të mjaftueshme paragjykimit konkret të ngritur nga Mbrojtja, Çështja 1 ndikon ndjeshëm të drejtën e të akuzuarit për një gjykim të drejtë dhe zhvillimin e shpejtë të procedurës. Mbrojtja kishte identifikuar për gjyqtarin e procedurës paraprake pasojat konkrete të zbulimit të vonuar të ZPS-së në organizimin e saj dhe përgatitjen e gjykimit, duke përfshirë nevojën për të rishikuar sërish të gjithë materialin e zbuluar më parë për dëshmitarët në fjalë”, thotë Keohe.
Avokati tutje thekson se Thaçi po qëndron në paraburgim me kërkesë të Prokurorisë së Specializuar, andaj automatikisht mund të nxjerren paragjykime mbi mos-veprimin e gjyqtarit paraprak ndaj shkeljeve të Prokurorisë dhe vonesave të saj.
Keohe sqaron se ankesa në fjalë e tij ka të bëjë me shkeljen e Prokurorisë të afatit të 17 dhjetorit të vitit 2021, kur ishte edhe dita e fundit kur ajo mund të zbulonte materialet dhe provat e saja.
Avokati tutje thotë se ishte vetë gjyqtari paraprak ai që në vendimin e kundërshtuar thoshte se shkeljet e radhës nga Prokuroria e Specializuar “do t’i nënshtrohen një shqyrtimi më të madh”.
Në gjithë këtë “mjegull ligjore”, avokati i ish-presidentit Thaçi ka thënë se një vendim meritor i Apelit të Speciales do të ofronte siguri juridike lidhur me atë se kush e mban barrën e korrigjimit të shkeljeve të zbulimit të materialeve në të ardhmen, si dhe do të ruante të drejtën e të akuzuarit për t’u gjykuar në kohë të arsyeshme.
“Këto janë çështje që duhet të përcaktohen menjëherë, në fazën paraprake, duke minimizuar më pas vonesat në gjykim dhe në apel, dhe për të adresuar pretendimet të cilat sigurisht do të vazhdojnë nëse qasja aktuale ndaj zbulimit ruhet”, ka thënë Keohe në parashtresën e tij.
Ndryshe, në sirtarët e gjykatësve të Apelit aktualisht janë ankesat e krerëve të UÇK-së për refuzimin e lirimit nga paraburgimi.
Dhomat e Specializuara ende nuk kanë bërë të ditur emrat e gjyqtarëve të Apelit të caktuar në këtë rast.
Comments are closed for this post.