Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, sot pasdite në orën 16:00 do të kenë takim në hapësirat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Zaev sot para gazetarëve tha se tema kryesore e takimit do të jetë rikonstruimi i kabinetit qeveritar.

“Edhe pse simbolika erdhi nga fjala ‘fshesë’, gjithsesi bëhet fjalë njerëz profesionist. Flasim për arrogancë, për mospërmbushje të pritshmërive në disa institucione dhe flasim për pamundësi për arritjen e pritshmërive të qytetarëve”.

“Pra flasim për personalitete, e jo për përfaqësues të partive politike. Gjithë ata që kanë treguar dobësi të karakterit të tillë është e vlefshme të mendohet të zëvendësohen me njerëz tjerë”, tha sot kryeministri Zaev.

Ndryshe, pasi Zaev paralajmëroi se do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, janë përfolur shumë emra të cilët mendohet se do të largohen nga pushteti ekzekutiv.