Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot duhet ta vazhdojë debatin për ribalancin e Buxhetit për vitin 2022. Për të folur në debat të përgjithshëm janë paraqitur edhe dy deputetë pas çka duhet të fillojë debati për amendamentet në të cilin duhet të shqyrtohen më shumë se 200 amendamente të shtruara kryesisht nga opozita.
Në tri ditët e kaluara të debatit kuvendor për ribalancin deputetët e opozitës dhe të pozitës patën qëndrime të kundërta. Për opozitën ribalanci është dëshmi se ekonomia është shkatërruar dhe se vazhdimisht po rritet varfëria. Deputetët e pozitës nga ana tjetër, porositën se me ribalancin realizohet kursimi i mjeteve serioze të cilat do të përdoren për ndihmë të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë.
Me ribalancin e Buxhetit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë ose 2,9 për qind më të larta lidhur me projeksionet iniciale të Buxhetit. Shuma e shpenzimeve të përgjithshme është 288,5 miliardë denarë ose për rreth 161,1 miliardë denarë (5,9 për qind) më shumë në raport me projeksionet iniciale me planin e vitit 2022.
Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivelin prej 32,2 miliardë denarë dhe janë rreth gjashtë miliardë denarë më të ulëta se plani për vitin 2022, por qeveria paralajmëron se do të vazhdojnë projektet për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, gazsjellësit. Rritja ekonomike është planifikuar të jetë 3,2 për qind, inflacioni të arrijë 7,2 për qind, ndërsa deficiti të jetë 42,7 miliardë denarë.
Comments are closed for this post.