Në Shkup nga data 5 deri më datën 10 tetor do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skupi Festival”. Edhe kësaj radhe publiku teatërdashës do të ketë mundësi të shoqërohet me shfaqje dhe trupa teatrore nga rajoni dhe vendet tjera të Evropës.
Hapja solemne e edicionit të XVII me radhë do të bëhet në orën 20:00 në hapësirat e Teatrit Shqiptar të Shkupit. Të gjitha shfaqjet do të luhen në këtë hapësirë duke filluar në po të njëjtën orë të hapjes. Drejtor i festivalit është Muzbajdin Qamili, drejtor artistik Osman Ahmeti dhe organizator: Xhaner Mushiç. Festivali çdo vit ka një moto identifikuese, motoja e sivjetme është ” Vezullim në teatër”
Nga numri i madh i shfaqjeve që kanë aplikuar për tu bërë pjesë e festivalit për këtë edicion, janë selektuar pesë shfaqje që vijnë nga vendet: Kosova, Turqia, Franca, Bosnja e Hercegovina, ndërsa si risi në këtë edicion vjen performanca e cila do të realizohet përmes një punëtorie të udhëhequr nga regjisorja Tea Begovska me temën “Shtrëngatë dhe Zhbirim”.
Këtë vit po ashtu, nga nata e parë do të ketë një ekspoze me afishet e shtatëmbëdhjetë edicioneve të FNT “Skupifestivalit”.
Në lidhje me organizimin dhe shfaqjet konkurruese në këtë festival drejtori Osman Ahmeti për Portalb.mk theksoi: “Këtë vit “Skupifestival” do të organizohet aty edhe ku lindi para 17 viteve në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në vitin 2007. Nën vezullimin teatror “Skupifestival” këtë herë sjell shfaje si “Orfeu” në regji të Jernej Lorencit nga Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” i Sofjes, shfaqje e cila ka rrëmbyer të gjitha çmimet kryesore teatrore në Bullgari. Kjo shfaqje mban vulën e një ansambli të madh por edhe një regjisori që është një nga emrat më të spikatur të teatrit evropian. Pastaj shfaqjen “I bërë në copa” nga Teatri i Pavarur “La Belle Meunière” nga Franca. Një shfaqje që ka pasur kritika të shkëlqyeshme si dhe suksese të theksuara në festival të ndryshme”- shton ai.
Vështirësitë financiare që ka ky festival dhe ankesat në lidhje me buxhetin e vogël në proporcion me kërkesat e shumta shpresojmë të tejkalohen edhe pse, këto vështirësi fare nuk janë të dukshme te publiku i cili do të ketë mundësi të shoh shfaqje nga vendet evropiane pa prerë biletë aeroplani dhe biletë teatri.
Biletat janë në shitje dhe kushtojnë 200den.
Shfaqjet do t’i ndiqni sipas kësaj rrjedhe:
E Enjte 05.10.2023
ARBRI
Teatri Oda Prishtinë, Kosovë
Autor: Lirak Çelaj
Regjisor: Lirak Çelaj
Premte 06.10.2023 20:00
NËN KALA
Hulumtime mbi teatrin fizik
Autor: Villiam Shekspir
Adaptuar nga : Pinar Akkuzu & Gülden Arsal Yavuz
Regjia : Guray Dincol
E Shtunë 07.10.2023
I BËRË NË COPA
Teatri La Belle Meunière, Francë
Autor, regjisor si dhe në role: Marguerite Bordat, Raphaël Cottin dhe Pierre Meunier.
Е Diel 08.10.2023
SHTRËNGATË DHE ZHBIRIM
Punëtori nga Tea Begovska
E Hënë 09.10.2023
TRAMVAJI I QUAJTUR DËSHIRË
Teatri i Luftës Sarajevë, B&H
Autor: Tenesi Villiams
Regjia dhe Luajnë: Dina Mushanoviç, Alban Ukaj, Igor Skvarica, Matea Mavrak dhe Noa Jugo.
E Martë 10.10.2023 20:00
ORFEU
Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” , Sofje Bullgari
Dramaturg: Matich Starina
Regjisor: Jernei Lorenci
Comments are closed for this post.