Zjarri në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës, i cili është përhapur edhe në Berovë, vazhdon të jetë një nga më kritikët. Atje aeroplanët ende operojnë në përpjekje për ta shuar. Këtu janë edhe forcat e armatës. Ndihmë vjen edhe nga banorët, pasi disa fshatra janë në gjendje kritike, edhe pse siç thonë, nuk ka rrezik për shtëpitë dhe jetën e njerëzve.

“Në rajonin e Dellçevës gjendja është normalizuar pak, por ende nuk është vënë tërësisht nën kontroll, kurse në rajonin e Pehçevës situata është më e rrezikshme. Zjarri ka ardhur deri te fshatrat Umllena, Cërnik, Maçevë, Budinarci, por nuk paraqet rrezik për shtëpitë dhe jetën e popullsisë, e as për bagëtinë e tyre në ato rajone”, deklaroi Marija Millkova, Qendra për Menaxhim me Kriza.

Zjarre të mëdha ka edhe në rajonin e Shën Nikollës dhe Shtipit, por situata kritike është edhe në Prilep.

“Zjarre të mëdha ka edhe në Prilep, në fshatrat Dren dhe Smollani, kurse Topllica është nën kontroll dhe mendoj se, të mos e teproj, por mendoj se deri në mbrëmje do të shuhet tërësisht. Por, këto dy rajone janë jashtëzakonisht të vështira, e kam fjalën për Drenin dhe Smollanin sepse bëhet fjalë për zona të paqasshme. Gjithçka që shuhet, sërish ndizet, për shembull shuani 20 metra, kur të ktheheni mbrapa e shihni vatrën e njëjtë”, tha Goran Stojkovski.

Nga QMK thonë se arsyeja për ripërhapjen e zjarreve është bari i thatë dhe era që fryn. Tani për tani nuk është parashikuar evakuim i popullsisë, por nga ky institucion thonë se e ndjekin situatën dhe në qoftë se përkeqësohet, atëherë do t’i ndërmarrin të gjitha masat për t’i mbrojtur qytetarët.