Pesëdhjetë vite më parë, qytet-shteti i Singaporit ishte një vend i pazhvilluar me PBB për frymë më pak se 320 dollarë. Sot, është një nga vendet me rritjen më të shpejtë dhe më të madhe ekonomike. PBB për frymë ka shkuar në 60 000 dollarë, gjë që e bën vendin e gjashtë në botë për nivelin e PBB/frymë. Për një vend me territor dhe burime natyrore të kufizuara ekonomia e Singaporit është një shembull për t’u marrë. Duke nxitur globalizimin, tregun e lirë, edukimin dhe politikat strikte pragmatiste, Singapori ka arritur të tejkalojë disavantazhet gjeografike duke u shndërruar në një lider në tregtinë globale, raporton gazeta KOHA.
Pavarësia e Singaporit
Për më shumë se 100 vite, Singapori ka qenë nën kontrollin e Britanisë së Madhe. Por, kur Britania nuk arriti ta mbrojë vendin nga Japonia gjatë Luftës së II Botërore, u zhvillua një frymë e fortë kundër kolonizimit dhe ndjenja nacionaliste që çuan në pavarësinë e Singaporit.
Në 31 Gusht 1963, Singapori u shkëput prej Britanisë dhe u bashkua me Malajzinë nga ku u formua Federata e Malajzisë. Pavarësisht se nuk ishte më nën tutelën e Britanisë, dy vitet që Singapori ishte pjesë e Malajzisë ishin të mbushura me probleme sociale pasi të dy vendet kërkonin asimilimin etnik e njëri-tjetrit. Kinezët në Singapor ishin sa trefishi i malajzezëve në numër ndaj politikanët e Malajzisë ishin të frikësuar pasi rrezikohej trashëgimia e tyre kulturore dhe ideologjike. Për këtë arsye, për të siguruar këto të fundit parlamenti malajzes votoi përjashtimin e Singaporit nga Federata. Kështu, Singapori fitoi pavarësinë e tij zyrtare më 9 gusht 1965, i udhëhequr nga Yusof bin Ishak si president dhe Lee Kuan Yew si kryeministër.
Edhe pse i pavarur, Singapori vazhdonte të përballej me problematika të shumta. Shumica e popullsisë ishte e papunë. Më shumë se 2/3 e popullsisë jetonte në baraka ose shtëpi në gjendje mjerane në periferi të qytetit. Territori i Singaporit gjendej mes dy shtetesh armiqësore, Malajzisë dhe Indonezisë. I mungonin burimet natyrore, shërbimet sanitare, infrastruktura dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Për të motivuar zhvillimin e vendit, Lee kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët, por, kërkesat e tij nuk morën përgjigje, duke e lënë Singaporin që të kryejë vetë betejën me varfërinë.
Globalizimi në Singapor
Gjatë periudhës së kolonizimit, Singapori konsiderohej vetëm si pikë shkëmbimi mallrash. Por, ky aktivitet ekonomik ofronte shumë pak perspektivë për rritjen e punësimit pas pavarësisë. Për më tepër, tërheqja e Britanisë e kishte agravuar edhe më shumë nivelin e papunësisë.
Zgjidhja më e përshtatshme për ekonominë dhe papunësinë e Singaporit ishte industrializimi me fokus në industritë që përdorin kapitalin njerëzor intensivisht. Fatkeqësisht, Singapori nuk kishte një traditë industriale. Ndaj, ata nuk kishin ekspertë ose punonjës të kualifikuar. Për më tepër, pa një territor favorizues dhe pa fqinjë me të cilët mund të tregtonte, Singapori ishte i detyruar të shihte për mundësi që shtriheshin përtej kufijve rajonalë për të nxitur zhvillimin e industrisë.
Nën presionin e papunësisë, liderët e Singaporit filluan të eksperimentojnë me globalizimin. I ndikuar nga aftësia e Izraelit për të tejkaluar fqinjët arabë, të cilët refuzuan tregtinë me ta, duke tregtuar me Evropën dhe Amerikën, Lee dhe kolegët e tij e dinin se duhej të krijonin lidhje me vendet e zhvilluara dhe të bindnin korporatat shumëkombëshe për të zhvendosur fabrikat në Singapor.
Për të tërhequr investitorët e huaj, Singapori krijoi një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm duke reduktuar korrupsionin, ulur taksat dhe shpërbërë sindikatat. Qytetarët e vendit hoqën dorë nga një pjesë e lirisë së tyre dhe pranuan një qeverisje autokratike. Çdokush që tregtonte lëndë narkotike ose korruptonte dënohej me vdekje. Edhe pse me ligje dhe rregulla strikte dhe të ashpra, Singapori u shndërrua në një vend tërheqës për investitorët.
Shtatë vite pas pavarësisë, ¼ e kompanive në Singapor ishin të huaja dhe SHBA dhe Japonia ishin investitorët më të mëdhenj. Si rezultat i klimës së qëndrueshme, kushteve të favorshme për investime dhe zgjerimit të shpejtë të ekonomisë botërore, rritja e PBB ishte mbi 10%,
Singapori filloi të fokusohej tek edukimi dhe trajnimi i punonjësve në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe elektronikë. Madje, një pjesë të trajnimeve nxiti korporatat shumë-kombëshe që t’i kryenin. Kështu, filloi të eksportojë tekstile, veshje dhe pajisje elektronike. Në vitet 1990 ata ishin të fokusuar në logjistikë, kërkimet bioteknologjike dhe farmaceutike, dizajn dhe inxhinierinë e hapësirës ajrore.
Singapori sot
Singapori sot është një shoqëri e industrializuar. Sektori i turizmit është shumë i zhvilluar me rreth 10 milionë vizitorë në vit. Pavarësisht se me një territor të vogël, sot është partneri i 15-të në tregti i SHBA dhe ka marrëveshje tregtare të forta me shumë vende në Evropë dhe Amerikën Latine. Ekzistojnë mbi 3000 korporata shumëkombëshe, të cilat përbëjnë rreth 2/3 e prodhimit dhe të eksporteve.
PBB e Singaporit arrin në 300 miliardë dollarë dhe jetëgjatësia mesatare e njerëzve është 83.75 vjet. Niveli i korrupsionit është minimal, gjithashtu dhe niveli i krimeve.
Modeli ekonomik i Singaporit, i cili sakrifikon lirinë për biznes është shumë i diskutueshëm dhe ka qenë objekt debati. Por, pavarësisht kësaj, efektiviteti i tij është i padiskutueshëm./Atlasi.
Comments are closed for this post.