Depresioni është një çrregullim i zakonshëm, por serioz i gjendjes shpirtërore. Kjo shkakton simptoma të rënda që ndikojnë në ndjenjat, mendimet dhe në aktivitetet tona të përditshme, siç janë gjumi, ngrënia ose puna. Për t’u diagnostikuar me depresion, simptomat duhet të jenë të pranishme për të paktën dy javë (National Institute of Mental Health, 2018).
Shenjat dhe simptomat e depresionit ndryshojnë nga personi në person, por në përgjithësi ato përfshijnë:
Ndjenja të trishtimit, boshllëkut ose mungesë e shpresës,
Shpërthime të zemërimit, nervozizmit apo zhgënjimit, edhe për çështjet më të vogla,
Humbje e interesit apo kënaqësisë në shumicën e aktiviteteve normale,
Pagjumësi ose të kaluarit shumë kohë duke fjetur,
Lodhje dhe mungesë e energjisë, edhe në detyrat më të lehta,
Ndryshime në oreks humbje e oreksit dhe e peshës ose e kundërta,
Ankth, shqetësim,
Mendime, të folur dhe lëvizje të ngadalshme,
Ndjenja të pavlefshmërisë, ose të fajit, fiksimin pas dështimeve të kaluara ose fajësimin e vetes për gjërat që nuk janë përgjegjësia e tij/saj,
Probleme me përqendrimin, marrjen e vendimeve dhe kujtesën,
Përmendja e shpeshtë ose e vazhdueshme e vdekjes, mendimet vetëvrasëse, përpjekjet për vetëvrasje ose vetëvrasja,
Probleme fizike të pashpjegueshme si dhimbje shpine ose të kokës (Mayo Clinic Staff, 2018).
Nëse dikush që kemi për zemër lufton me depresionin, është shumë e vështirë edhe për ne. Ne pyesim veten se si mund ta ndihmojmë. Për shumicën nga ne, kur dëgjojmë mikun tonë që na thotë se jeta e tij është e pashpresë, reagimi ynë i menjëhershëm është të mos pajtohemi me të. Ne e dimë që ka shumë gjëra të bukura në jetën e tij, kështu mendojmë që nëse ja përmendim, ai do t’i kujtojë dhe do të ndihet më mirë. Por kjo nuk ndodh shpesh. Në vend të saj ai injoron atë që i themi dhe ndihet i dëshpëruar me ne që nuk po e kuptojmë atë që po përpiqet të na tregojë: asgjë e mirë nuk po ndodh në jetën e tij (Baddeley, 2009).
Ajo çfarë është e rëndësishme është që të mos dorëzohemi dhe të ofrojmë ndihmën më të madhe të mundshme nga ana jonë. Stafi i “Mayo Clinic” ka listuar disa këshilla se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar dikë që po vuan nga depresioni:
Bisedoni me personin mbi atë që keni vërejtur në sjelljet e tij/saj kohët e fundit,
Jini i gatshëm ta dëgjoni, mos jepni opinione apo këshilla dhe mos gjykoni, thjesht të dëgjuarit dhe të kuptuarit mund të jetë një mjet i fuqishëm shërues,
Shpjegoni se depresioni është një gjendje mjekësore, jo një mangësi ose dobësi personale dhe se zakonisht shërohet me trajtim adekuat,
Sugjeroni të kërkojë ndihmë nga një profesionist – një mjek ose një psikolog,
Shprehni gatishmërinë tuaj për t’i qëndruar pranë dhe për ta ndihmuar, për ta shoqëruar në takimet me mjekun apo psikologun,
Ofroni shpresë në formë që mund ta pranojnë, si besimi në Zotin, apo dashuria e fëmijëve apo e familjes.
Simptomat e depresionit përmirësohen me trajtimin e duhur, po mund të kërkojë kohë, prandaj është e rëndësishmë të jemi të durueshëm.
Comments are closed for this post.