Pothuajse një muaj para se Evropa të përfshihej në “luftën” për maska, ventilatorë dhe në pajisje testimi për të luftuar koronavirusin, qeveritë e vendeve anëtare i thanë Brukselit se sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor ishin në gjendje gatishmërie dhe nuk kishte nevojë për porositjen e më shumë pajisjeve në stoqet e tyre, thuhet në disa dokumente të Bashkimit Evropian.

Por, ky kalkulim optimist ishte në kundërshtim të plotë me situatën e mungesës së pajisjeve mjekësore dhe maskave që ndodhi vetëm disa javë më vonë, kur Komisioni Evropian vlerësoi që nevojat në të gjitha shtetet e BE-së ishin dhjetë herë më të larta sesa ato që janë zakonisht në dispozicion.

Disa dokumente të brendshme dhe disa tjera publike të cilat i ka parë agjencia Reuters, tregojnë se qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mund të kenë përkeqësuar situatën e tyre duke mbivlerësuar aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur krizës.

“Gjërat janë nën kontroll”, tha një zyrtar i Komisionit Evropian në një takim me dyer të mbyllura me diplomatët e vendeve anëtare më 5 shkurt. Kjo ndodhi dy javë pasi Kina izoloi rreth 60 milionë njerëz në provincën Hubei, shifër kjo e përafërt me numrin e popullsisë së Italisë.

“Te vendet anëtare ekziston një nivel i fuqishëm i gatishmërisë dhe shumica tashmë i kanë ndërmarrë masat për të zbuluar dhe trajtuar COVID-19”, tha zyrtari, duke transmetuar deklaratat nga të dërguarit e vendeve anëtare në takim.

Kjo deklaratë u bë vetëm dy javë para se të shënohen viktimat e para të koronavirusit në Itali. Deri më tani në këtë vend anëtarë të BE-së janë shënuar 12,428 viktima nga COVID-19, pothuajse katër herë më shumë nga numri i vdekjeve në Kinë, ku sëmundja u shfaq për herë të parë.

Agjencia Reuters e ka pyetur një zëdhënës të Komisionit Evropian, nëse këto dokumente dëshmojnë se përgjigja evropiane ndaj krizës kishte qenë shumë e ngadaltë.

Gjermania “huazon” modelin jugkorean në luftim të koronavirusit
Mirëpo ai tha se “që nga muaji janar, Komisioni ofroi mundësinë e mbështetjes për shtetet anëtare”.

Qeveritë e vendeve anëtare filluan ta kuptojnë rëndësinë e situatës në muajin mars, dhe në vend që të përqendrohen në veprime të përbashkëta, shumë prej tyre u koncentruan në vendosjen e masave proteksioniste, duke ngritur barriera tregtare për të penguar eksportin e pajisjeve mjekësore për fqinjët e tyre.

Italia ende posedon vetëm një pjesë të 90 milionë maskave të fytyrës, të cilat iu duhen në baza mujore punëtorëve të saj mjekësorë. Javën e kaluar, Franca porositi mbi 1 miliard maska dhe prodhuesit po përshtatin linjat e prodhimit për të bërë ventilatorë.

“Kapacitetet ekzistojnë”
Analiza me tone optimiste e paraqitur nga zyrtari i Komisionit Evropian më 5 shkurt, buronte nga një seri takimesh me ekspertë shëndetësorë nga vendet anëtare të BE-së.

Në një takim të 31 janarit, përfaqësuesit e ministrive të Shëndetësisë nga vendet anëtare i thanë organit ekzekutiv të BE-së se vendet e tyre nuk kishin nevojë për ndihmë në blerjen e pajisjeve mjekësore.

Në dokument thuhej se “ende asnjë vend nuk ka kërkuar ndihmë për të marrë kundërmasa shtesë ndaj krizës së koronavirusit”.

Mirëpo në dokument potencohej se vetëm katër shtete anëtare të BE-së paralajmëruan gjatë takimit se mund të kenë nevojë për pajisje shtesë nëse situata përkeqësohet në Evropë.

Se cilat janë këto vende, nuk u bë e ditur.

Si mund ta bëni vetë dezinfektuesin?
Më 28 shkurt, një muaj pas ofertës së parë për ndihmë drejtuar vendeve anëtare dhe pasi gjatë dy takimeve të ardhshme vendet u urdhëruan të sqarojnë nevojat e tyre, Komisioni Evropian filloi një program të përbashkët të prokurimit për maska të fytyrës dhe mjeteve të tjera mbrojtëse.

Por, tenderi që u hap në emër të 25 shteteve anëtare të BE-së, fillimisht nuk kishte oferta, thuhet në një dokument të brendshëm të parë nga agjencia Reuters.

Vendet anëtare të BE-së tani po vlerësojnë ofertat e bëra pas një tenderi të dytë, por ende nuk janë nënshkruar kontrata dhe Komisioni Evropian vlerëson se dërgesat e para janë akoma disa javë larg.

Sipas dokumenteve që citon agjencia Reuters, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së e kishin siguruar Brukselin se punëtorët e tyre mjekësorë ishin informuar mirë se si të trajtojnë pacientët me COVID-19, megjithëse Italia që nga 24 shkurti, kërkonte nga personeli mjekësor që vetëm të mbante maska kur trajton rastet e dyshuara me COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare, gati 10,000 punonjës shëndetësorë italianë janë infektuar me koronavirusin e ri, ose më shumë se 9 për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve në Itali.

Në një takim të BE-së më 4 shkurt, ekspertët e shëndetit të vendeve anëtare thanë: “Kapacitetet diagnostikuese ekzistojnë dhe disa vende kanë filluar testimet”.

Shtetet anëtare të BE-së tani po përballen me një mungesë të madhe të testeve. Ato shpallen një skemë të përbashkët për blerjen e tyre më 18 mars.

Sipas procesverbalit të takimit, nevoja për të siguruar bashkërisht ventilatorët, u ngrit për herë të parë në një takim të ekspertëve të shëndetit të BE-së më 13 mars.

Këto pajisje janë shumë të rëndësishme për pacientët me probleme të rënda të frymëmarrjes.

Në mesin e muajit shkurt, Agjencia për Kontrollin e sëmundjeve, vlerësoi se rreziqet që sistemet e kujdesit shëndetësor të vendeve anëtare mund të tejkalojnë kapacitetin e tyre janë në nivel “të ulët deri në të mesëm”.

Por, një muaj më vonë Agjencia e përditësoi vlerësimin e saj, duke thënë se asnjë vend nuk do të kishte shtretër të mjaftueshëm të kujdesit intensiv deri në mes të muajit prill./REL/