Një bazë e vjetër ajrore e Shqipërisë po rinovohet, për t’u bërë qendër e re taktike e operacioneve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Shqipëria u zgjodh nga NATO për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s.
Në atë që pritet të bëhet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, është paraparë të vendoset një mori aeroplanësh modernë luftarakë.
Bazat ushtarake në Shqipëri të trashëguara nga regjimi komunist janë disa, ndërkohë vitet e fundit në qendër të vëmendjes është rikthyer Baza Ajrore e Kuçovës.
Aleanca e NATO-s ka ndarë rreth 50 milionë euro për rindërtimin dhe ndërtimin e aseteve të nevojshme për realizimin e fluturimeve në përmbushje të standardeve të NATO-s
Baza pritet të futet në funksion para vitit 2023.
Baza është vendosur në territorin e Bashkisë Kuçovë, Qarku i Beratit, 85 kilometra në jug të Tiranës.
Gjatë sistemit komunist, Kuçova quhej Qyteti Stalin.
Forca ajrore shqiptare kishte mbi 200 aeroplanë të prodhimit sovjetik, por që të njëjtët u nxorën jashtë funksioni në vitin 2005.
Ish-piloti, Viktor Vangjeli kishte drejtuar një avion MIG për 27 vjet.
“Në situatat gjatë Luftës së Ftohtë kishte intensitet të lartë të fluturimeve. Më duhej të fluturoja një avion çdo ditë. Deri në vitin 1962 ky regjiment mbronte hapësirën ajrore të republikës”, rrëfen për Radio Evropën e Lirë, Vangjeli.
Forca Ajrore Shqiptare tani ka në pronësi disa helikopterë, por nuk posedon asnjë aeroplanë luftarak.
Megjithatë ish-ushtaraku thotë se brezi i ri i pilotëve do të ketë mundësinë të drejtojnë aeroplanë më modern.
Edhe koloneli Adrian Kuli mendon se Shqipëria do t’ia shohë hairin bazës së re të NATO-së në Kuçovë.
“Komuniteti mirëpret të gjitha investimet që po bëhen këtu. Jam i bindur se impakti pozitiv do të shtrihet si në aspektin social, ekonomik”, deklaroi Adrian Kuli. /REL/
Comments are closed for this post.