Shpresat për zhbllokimin e negociatave për anëtarësim me BE-në, Shkupi i mbështet në presidencën portugeze. Edhe pse kryediplomati, Bujar Osmani ditë më parë paralajmëroi aktivitet diplomatik për ta zgjidhur kontestin dypalësh me Sofjen, sot Zv/kryeministri, Nikolla Dimitrov tha se këtë aktivitet diplomatik në fakt nuk do ta ndërmarrë Shkupi por Lisbona, e cila kryeson me Unionin. Dimitrov tha se do të ketë takime, por se nuk mund të zbulojë më shumë detaje rreth të njëjtave.
Ka kontakte të caktuara në nivele të ndryshme. Këto ditë presim angazhim të shtuar të presidencës portugeze, e cila ndonëse nuk është afër Ballkanit, ka vullnet dhe dëshirë të madhe të arrijmë sukses të përbashkët dhe kanë interes ta përfundojnë punën që e filloi presidenca gjermane. Meqë nga atje nuk janë paralajmëruar aktivitete, unë nuk mund të jap më shumë detaje, por opinioni duhet ta dijë se presim angazhim të shtuar të presidencës portugeze”, tha Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Ndërkaq Presidenti, Stevo Pendarovski tha se vizita e përbashkët më 26-27 maj në Romë me homologun bullgar, Rumen Radev nuk ka për qëllim negocimin e kontestit dypalësh, por shënimin tradicional të Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit.
Është një gjest i mirë simbolik, politik nga të dy palët që ta relaksojmë pak atmosferën në vigjilje të asaj që do të vijojë më pas, biseda e negociata rreth bllokimit. Qëllimi nuk është të negociojmë. Shkojmë t’i shënojmë personalitetet që nuk kanë qenë të kontestueshëm as nga Komisioni i historisë”, tha Stevo Pendarovski, president.
Pendarovski gjithashtu tha se nëse integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të tjera të rajonit në BE do të zgjasë dhe ndërkohë qarkullojnë non-papera me ide të rrezikshme për rajonin, është normale që qytetarët e Ballkanit Perëndimorë të tregojnë interes edhe për opsione të tjera. Ndërkohë Qeveria teknike bullgare është shprehur e gatshme për të negociuar por jo për të ndryshuar qëndrim ndaj kushteve për Maqedoninë e Veriut.
Comments are closed for this post.