Njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incidentin në një lokal në Prishtinë mbrëmjen e së premtes mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

I njohur me pseudenimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh. Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i FSK-së.

Nga të shtënat me armë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë humbi jetë Kastriot Ramadani, ish ushtari i TMK-së, ndërsa mbetën të plagosur 21 persona, 7 me armë zjarri dhe 14 me mjete të mprehta.

Viktima Kastriot Ramadani, , ish ushtari i TMK-së

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar sot për gjendjen shëndetësore të të plagosurve dhe të lënduarve nga përleshja me armë zjarri të premten në mbrëmje në lokalin Bon Vivant në Prishtinë.

“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17. I gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla. Për të ngritur gjendjen e gatishmërisë, ofruar mbështetje dhe për t’u interesuar për të lënduarit në Klinikën Emergjente ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Elvir Azizi”, thuhet në njoftim.

Ende nuk dihen shkaqet e sherrit mes personave, që agravoi deri në përplasje fizike dhe shkrepje arme. Të plagosurit janë duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Mes tyre janë katër të dyshuar, si të përfshirë në këtë rast, ndërsa pritet identifikimi i personave të tjerë.

Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera hetimore. Në vendin e ngjarjes janë njësitë policore dhe njësia K-9, ku janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.