Autoritetet në Uashington dhe në kryeqytetet e shteteve të tjera amerikane po përgatiten për protesta të dhunshme, disa ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Mijëra trupa të armatosura të Gardës Kombëtare tashmë janë vendosur në Uashington. Autoritetet po planifikojnë që të mbyllin për qarkullim rrugë dhe ura që çojnë për në Uashington. Ndërkaq, guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Garda Kombëtare t’i ndihmojë zyrtarët lokalë të rendit dhe disa shtete amerikane tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, nga frika se mund të ketë protesta, të ngjashme si ato më 6 janar në Kongresin amerikan, ku mbetën të vdekur pesë persona.