Serbia ka votuar kundër deklaratës së liderëve në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Tiranë nën udhëheqjen e Presidentit Bajram Begaj, ku po marrin pjesë liderët më të lartë të rajonit.
Siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, kundërshtimi i Serbisë ka qenë për pjesën ku dënohet agresioni rus ndaj Ukrainës si dhe referenca ndaj NATO’s si aleancë që kontribuon në sigurinë euroatlantike.
Në samit kanë marrë pjesë edhe Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović; Kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanović; Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova, si dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Të pranishëm janë gjithashtu Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi; Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan; Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Emilian Hurezeanu; Zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopoulou; si dhe përfaqësues të lartë nga Kroacia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Samiti po shënon përmbylljen e një viti të suksesshëm të presidencës shqiptare të SEECP-së, e cila këtë vit ka pasur moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Shqipëria pritet t’ia dorëzojë kryesimin Bullgarisë në fund të muajit.
Comments are closed for this post.