Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës kanë vënë nën sekuestro një pasuri prej rreth 2.2 mln eurosh këtë të enjte.

Operacioni i koduar “Vllazëria” ka sekuestruar pronat e dy vëllezërve të identifikuar si Armando Gorezi 44 vjeç dhe Alket Gorezi, 47 vjeçar. Vëllezërit kishin në pronësi 9 banesa, dy dyqane dhe një garazh, por asnjë lloj mundësie për t’i justifikuar ekonomikisht këto pasuri

Finalizohet operacioni i koduar “Vllazëria” nga Seksioni i Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sekuestrohen nëntë apartamente, dy dyqane dhe një garazh, pasuri këto të dyshuara të përfituara nga të ardhura të rrjedhura nga aktiviteti kriminal.

Seksioni për Pastrimin e Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në funksion të procedimit penal të vitit 2018 “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasve A. G., 44 vjeç dhe A. G., 47 vjeç (vëllezër), finalizoi operacionin policor të koduar “Vllazëria”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës dhe sekuestrimi preventiv i :

– nëntë apartamenteve

– dy dyqaneve

– një garazhi (të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe Durrësit të cilat kapin vlerën e dy milion e dyqindmijë euro).

Pas një pune disa mujore në funksion të procedimit të rregjistruar duke përdorur metodat speciale të hetimit, janë identifikuar pasuri të cilat nuk justifikoheshin nga ana ekonomike e financiare dhe rridhnin nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve