Të paktën 174 palestinezë janë vrarë dhe 310 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit ndërsa Izraeli po i vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar.

“Okupatori izraelit kreu 18 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 174 dëshmorë dhe 310 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria njofton se shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata.

Me viktimat e fundit palestineze, numri i të vdekurve nga sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori është rritur në 26.257, kurse 64.797 të tjerë janë plagosur, tha ministria.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një operacion i befasishëm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Lufta izraelite ka zhvendosur brenda 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës, sipas OKB-së, është dëmtuar ose shkatërruar.