M.O, 18-vjeçare, është privuar nga jeta ditën e djeshme në Ferizaj. Ajo është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqa, 29-vjeç, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu, 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga. Të dy, menjëherë kanë ikur nga spitali. Për ta përcjellë nga afër këtë tragjedi.
Emri i Dardan Krivaqes ishte i njohur për qyetetarët në Ferizaj, edhe para se ai të kërkohej si i dyshuar për keqtrajtimin deri në vrasje të partneres së tij. Për Krivaqen, thanë se prej vitesh ka qenë problematik dhe i dyshuar për kryerje të veprave penale. Megjithatë, familja e M.O., ia kishte dhënë “bekimin” martesës së tyre, pasi, sipas dajës së vajzës, nëna e Dardanit u kishte thënë se çifti kanë dashuri mes vete dhe nuk do të kenë probleme.
Daja i të ndjerës, tha se vajza nuk është ankuar se ka pasur probleme me partnerin e saj.
“Unë jam daja i M. Dje e kemi marrë vesh dikur rreth orës 22:00, nuk kemi ditë diçka që ka ndodh. Por në bazë të informatave, e kemi marrë vesh që është mbesa jonë. Kemi ardhë këtu, kemi bisedu me familjen. Kjo është e vërtetë, ajo është martu që 2 ose 3 muaj…Vajza nuk ka tregu kurgjë që ka raporte të këqia, por në bazë të rrethanave, si dajë, kemi pyet kush është filani (burri i saj). Nuk kanë folë fjalë të mira, që është njeri i sjellshëm ose djalë i mirë, por e paska pas fatin…U njoftu me të, u martu, kur ka ardhë në shtëpi, se kam qëllu unë këtu një herë ose dy, më kanë thënë dajë mirë jemi duke kalu. Diçka që me thanë që s’po shkon mirë, s’na ka tregu”, tha ai .
Por, ai thotë se babai i viktimës e ka vërejtur nga sytë e Dardanit se çifti po fshehin diçka.
“Por, në bazë të babës së saj, se ky e ka pyet qysh po kalon, ajo ka thënë mirë, por po thotë se e ka vërejt në bazë të syve të atij djalit se ka pas diçka të fshehtë”, u shpreh ai tutje.
Daja i viktimës pohon se 18-vjeçarja kishte nisur një punë, por e kishin larguar nga puna me të marrë vesh se është partnerja e Dardanit.
“Janë martu, banesën e kanë pas qaty, ja kish pas nis vajza me punu diku një javë apo dhjetë ditë më një vend, por për çka u largu prej punës nuk muj me ditë. Fjalë të popullit, e kanë hetu që është femra e filanit dhe e ka largu, se s’ka desht me pas probleme me të”, tha ai tutje.
Ai tha se ceremonia e varrimit pritet të bëhet ditën e nesërme, ndërsa e pamja do të zgjasë tri ditë.
“Nesër bëhet varrimi, tri ditë zgjatë e pamja, dhimbja është e madhe por nuk dina se çka bëjmë”, u shpreh ai.
Isa Berisha, doktor në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, tha se viktima u soll në emërgjencë pa shenja jete.
“Sipas raportimeve të mjekëve emergjentë që kanë qenë ekip kujdestare gjatë ditës së djeshme, dje pasdite është sjellë një person femër, pa shenja jete, në emergjencën e spitalit. Është konfirmu nga mjekët emergjentë që kanë qenë kujdestar, që pacientja është pa shenja jete. Ajo është sjellë nga dy persona të paidentifikuar që janë largu menjëherë nga spitali, është lajmëru menjëherë policia, Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët më vonë kanë ardhë e kanë marrë rastin për Prishtinë”, tha Berisha për Gazetën Express.
Ish-partneri i viktimës, po vazhdon të jetë në arrati. Policia po kërkon që kushdo që ka informacione të vendodhjen e tij ta thërras numrin 192.
Rasti i 18-vjeçarës është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se vajza dyshohet se u privua nga jeta për motive të ulëta.
“Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka njoftuar prokuroria, transmeton Express.
I arrestuari Arbër Sejdiu është dërguar në mbajtje, ndërsa policia po punon për arrestimin e Dardan Krivaqës.
Çfarë tha policia sot në raportin 24-orësh?
VRASJE E RËNDË / Ferizaj 22.08.2021 – 15:08. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, dyshohet se i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse viktimës femër kosovare. I njëjti dyshohet se në bashkëveprim me të dyshuarin mashkull kosovar i cili është arrestuar, e kanë dërguar viktimën pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt, vdekjen e të cilës e ka konstatuar ekip mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari kryesor gjendet në arrati. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar.
Për vrasjen e vajzës nga Ferizaj ka pas shumë reagime në rrjetet sociale, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që rastet e dhunës të trajtohen me prioritet dhe dhunuesit të sillen para drejtësisë.
“Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e dhunimit, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë”, ka shkruar ajo ndër të tjera.
Comments are closed for this post.