Real Madridi ka prezantuar sot blerjen e radhës në merkaton verore. Bëhet fjalë për Rodrygo Goes. Braziliani është shfaqur me një fjalë të shkurtër përshëndetëse në spanjisht, veshur me fanellën e bardhë. Në krah të tij ishte vetë presidenti Florentino Perez. Para gazetarëve, 18-vjeçari u shpreh: “Përshëndetje, mirëdita të gjithëve! Faleminderit Zotit për atë që ka bërë për mua dhe familjen time! Faleminderit presidentit Perez për besimin që ka treguar ndaj meje dhe shpresoj t’ia shpërblej me shumë gëzime. Hala Madrid!”

Përpara tij ka thënë disa fjalë edhe presidenti i “Los Blancos”: “Unë do t’ju mbështes me gjithçka, që të bëni histori. Ju, gjithashtu, duhet t’i dini kërkesat maksimale që ekzistojnë në këtë klub. Nuk duhet të harroni asnjëherë shpresat që kanë varur tifozët te ju, sit e lojtarët e tjerë. Mirë se vini në shtëpi, jeni i mirëpritur te Real Madridi.

Ju vini nga Brazili, ku futbolli është pasioni i madh. Prej andej kanë dalë lojtarë nga më të mëdhenjtë e histories. Atje keni debutuar si fëmijë. 17 vjeç ishit lojtari më i ri golashënues në “Copa Libertadores”. Ju jeni ende një nga yjet e mëdhenj në zhvillim të futbollit brazilian. Që nga viti i debutimit keni shënuar 17 gola dhe rritja juaj është spektakolare. 

Tani, ju ftoj të përballeni me sfidën që keni zgjedhur. Vini në një klub legjendë. Strategjia jonë është kërkimi dhe zhvillimi i talenteve të rinj, që duan të bëjnë epokë te Real Madridi. E di se admirimi për futbollin është një mënyrë jetese për ju, ndaj sot e mirëpresim Rodrygo Goes si lojtarin tonë të ri”. /