Vendet që me ligj i takojnë opozitës në qeverinë teknike duhet të mbeten bosh derisa VMRO-DPMNE të votojë për atë qeveri, sugjeron kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në përgjigje të njoftimeve të partisë opozitare për të mos votuar përbërjen e qeverisë teknike as të marrë pjesë në seancat e saj. Bashkimi Demokratik për Integrim, sipas njoftimeve, nuk do të përkrahin propozimet për ministra në qeverinë teknike që vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Kovaçevski dje i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit dhe mandatarit të ardhshëm Talat Xhaferi që të formojë një qeveri në të cilën postet ministrore dhe zëvendësministrat shtesë do të mbeten bosh, dhe pasi VMRO-DPMNE të vendosë të mbështesë qeverinë teknike, atëherë të vendosen ministrat e tyre.

VMRO-DPMNE-ja e vlerësoi këtë deklaratë të Kovaçevskit si një mashtrim të lirë dhe theksoi se mbeten në qëndrimin e tyre që të mos votojnë për kryeministrin teknik. Ata njoftuan se emrat e ministrave dhe zëvendësministrave do t’i shpallin javën e ardhshme.

Përgatitjet formale në Kuvend për Qeverinë teknike duhet të nisin të hënën, më 22 janar, ndërsa qeveria teknike pritet të votohet më 28 janar. Kryeministër teknik duhet të jetë kryetari aktual i Kuvendit Talat Xhaferi dhe në vend të tij duhet të vijë koordinatori aktual i LSDM-së Jovan Mitrevski. Qeveria Teknike do të funksionojë për 100 ditë. Sipas marrëveshjes nga mbledhja e lidershipit të 4 dhjetorit të vitit të kaluar, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa më 8 maj duhet të ketë zgjedhje të dyfishta – raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.