Presidenti rus Vlladimir Putin sot deklaroi se është për heqjen e patentave për vaksinat kundër Kovid-19, sipas propozimit të SHBA-së, në mënyrë që të përshpejtohet prodhimi dhe distribuimi I vaksinave në mbarë botën.
“Kuptohet, Rusia do ta mbështesë qasjen e tillë”, tha Putin në takimin kushtuar pandemisë dhe kërkoi nga Qeveria ruse të punojë në atë çështje.
“Në rrethanat e tanishme, siç thashë shumë here, nuk duhet të mendojmë si të fitojmë sa më shumë, por për atë se si t’ua garantojmë sigurinë njerëzve”, tha ai.
Rusia deri më tani prodhoi katër vaksina, duke filluar nga kryesorja, Sputnik V, ndërsa autoritetet shëndetësore miratuan edhe Sputnik llajt që jepet në një doze, në vend të dy dozave.
Putini në këtë mënyrë iu bashkangjit SHBA-së e cila dje bëri thirrje për heqje të patentave. Putin, megjithatë, fare nuk e përmendi propozimin e Uashingtonit, madje tha se ideja rrjedhë nga Evropa.
Bashkimi Evropian sot kumtoi se është “i gatshëm të bisedojë” për këtë çështje, e cila do të jetë në rend dite të samitit të 27 vendeve anëtare në Porto të premten, por shfaqi dyshim për suksesin e një mase të tillë për përshpejtim të vaksinimit në mbarë botën. BE-ja deri më tani e kundërshtonte një ide të tillë.
Comments are closed for this post.