Të gjitha riparimet e autobusëve të “Durmo Turs” janë kryer në shërbimin e stacionit ku kishte fletore për secilin automjet. Personi përgjegjës për garazhin ka qenë Remzi Miftari, por ai nuk mund ta dinte se çfarë ishte tek një automjet nëse shoferi nuk e paraqiste atë problem. Çdo shofer profesionist ishte i detyruar të kontrollonte automjetin para se të nisej për në rrugë, deklaroi i pandehuri i parë, Durmish Beluli, në seancën e sotme për rastin e “Llaskarcës”.
Në mbrojtje të tij, pronari i “Durmo Tursit”, Belluli tha se ai nuk kontribuoi në asnjë mënyrë në aksidentin dhe se nuk ndihej fajtor për këtë.
“Unë pendohem dhe ndjej keqardhje për atë që ndodhi. Çfarëdo që të ndodhë me ne, nuk i kthen viktimat. I bëj thirrje pjesëmarrësit të vetëm në aksident – shoferit Manuel Trifunovski të thotë se çfarë ka ndodhur. Pavarësisht se kush do të përgjigjet, le të thotë. Vetëm ai e di të vërtetën, të tjerët janë supozime”, deklaroi Beluli.
Ai theksoi se stacioni i kontrollit teknik funksiononte njësoj si të gjithë të tjerët, se kishte dy linja, një për pasagjerë dhe një për autobusë, dhe në të punonin 15 persona, përfshirë kontrollorët dhe inxhinierët mekanikë.
“Në asnjë rast nuk kam ushtruar presion, ose kontrolluesit do të ishin ndikuar nga dikush për të vendosur informacione të pasakta”, tha Belluli, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai kishte ndikuar tek personat teknikë dhe profesionist gjatë kontrollit teknik.
Në mbrojtje të tij, Beluli tha se ai kurrë nuk kishte kursyer në pjesë, vaj ose ndonjë gjë tjetër në “Durmo Turs”.
Lidhur me aktakuzën për manipuluesin e shpejtësisë, Beluli tha se aspak nuk e dinte që kishte manipulues në autobus dhe se nga kjo kam vetëm dëme.
“Nga kjo “Durmo Turs” mund të përfitojë vetëm dëme dhe vetëm shoferi mund të përfitojë. Sapo e zbulova, kuptova se kishte dëm vetëm për “Durmo Tursin”, nga konsumimi më i shpejtë i gomave, konsumi i karburantit dhe pjesëve të tjera”, deklaroi Beluli.
Seanca tjetër është caktuar për më 20 prill.
Seanca gjyqësore drejtohet nga gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori publik, Darko Jakimovski.
Gjashtë persona akuzohen për aksidentin me autobus që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019 afër fshatit Llaskarcë në të cilin 16 persona vdiqën, ndërsa 37 u lënduan rëndë.
Pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transportin e kompanisë Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoel Trifunovski akuzohen për kryerje të veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronësisë në komunikacion, ndërsa tre punonjësit e stacionit të inspektimit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski për bashkëpunim në të njëjtën vepër.
Comments are closed for this post.