Lënda që ka të bëjë me transaksionet financiare të Drin Ahmetit, nipit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, është ende në fazën e procedurës parahetimore. Pas shumë muajsh hetime, një pjesë e madhe e dokumentacionit të kërkuar është siguruar dhe analizuar, ndërsa analiza e pjesës tjetër pritet të përfundojë së shpejti. Nga dokumentacioni i mbledhur deri tani, ka dalë nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të verifikuar informacionet që mund të jenë të rëndësishme për hetimin, informojnë për Portalb.mk nga Prokuroria në Shkup.

“Lënda për të cilën ju tregoni interes është në procedurë parahetimore. Pjesa më e madhe e dokumentacionit të kërkuar është siguruar dhe analizuar, pritet analiza e një pjese të dokumentacionit, e cila me urdhër të prokurorit të lëndës zbatohet nga Njësia e Krimeve Financiare – Sektori i i Hetimeve Penale pranë Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe të Krimeve të Rënda dhe Njësisë së Krimeve Ekonomike – Sektori për krim ekonomik dhe korrupsion pranë Departamentit të Policisë Kriminale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga analiza e dokumentacionit të grumbulluar deri më tani, po kryhen veprime të tjera parahetimore dhe në bazë të urdhrave përkatës të prokurorit të lëndës, sigurohen edhe dokumentacione të tjera shtesë”.

Ndërkohë, shtojnë nga Prokuroria, nga analiza e deritanishme e dokumentacionit të mbledhur nga njësitë e sipërpërmendura të Ministrisë së Brendshme, doli nevoja për paraqitjen e një kërkese për ndihmë juridike ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara për të vërtetuar faktet përkatëse me rëndësi për procedurën parahetimore, ndërsa pas së cilës kërkesë nga ana e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kërkuan dhe menjëherë u janë dorëzuar të dhëna shtesë  nga ana e prokurorisë.

“Gjithashtu theksojmë se kur bëhet fjalë për procedurat me asistencë juridike ndërkombëtare, duhet kohë për të marrë një përgjigje nga institucionet e shtetit nga i cili është kërkuar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Kjo lëndë ka të bëjë me një seri transaksionesh të dyshuara financiare që lidhen me Drin Ahmetin dhe partnerin e tij, Nik Nazar Mehmetin, ku përfshihen miliona dollarë dhe euro. Këto transaksione kanë zgjuar dyshime për mundësinë e pastrimit të parave dhe përfshirjes në aktivitete të dyshimta financiare. Hetimet po zhvillohen edhe për çështje të tjera, duke përfshirë gjetjen e materialeve eksplozive në automjetin e Drin Ahmetit gjatë vitit të kaluar.

Në qershor të vitit të kaluar, mediat njiftuan se nipi i Ali Ahmetit, Drini, nëpërmjet kompanisë “Tor Industries”, bashkë me një kompani nga Shqipëria me emrin “Pe-vla-ku SHPK”, janë pronarët e rinj qendrës afariste “Soravia”, e cila ndodhet në Qendrën Tregtare Të Qytetit në Shkup. Drin Ahmeti është edhe bashkëpronar i kompanisë “Everest JD” e cila ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, por që merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile.

Pas shumë akuzave dhe dyshimeve, Drin Ahmeti, në mars të këtij viti u njoftua se do të tërhiqet nga kompania “Top” që e bleu “Soravia”-n.

Atëkohë nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion thanë se nuk ka kurrfarë lidhje që është tërhequr, por e rëndësishme është se kush ka qenë person udhëheqës në momentin e kryerjes së veprave penale.

“Lidhur me ndryshimin e strukturës pronëse të subjektit juridik, ju përkujtojmë se në pajtueshmëri të ligjit, nëse ekziston përgjegjësi, barra është e atij personi i cili në momentin e ndodhjes eventuale të veprës penale ka qenë pronar ose ka udhëhequr me subjekt të caktuar juridik, madje prej aty ky ndryshim nuk do të ndikoj ndaj procedurës që zhvillohet”, thanë atëkohë nga PTHP për krim të organizuar.

Sipas numrit dhe nivelit të institucioneve që janë të përfshira në këtë parahetim, duket se bëhet fjalë për një nga rastet më të mëdha të cilët i ka ngritur në kohën më të re, por edhe se nuk bëhet fjalë këtu vetëm për krim ekonomik, por edhe për krim serioz.

Drin Ahmeti publikoi se “Tor Industries” e ndërmerr kompania “Teksas Amerikan International Holldings”, e cila sipas emisionit “Kod” i TV Telmës, është e biznesmeti Nik Nazar Mehmedi, i cili madje në korrik të vitit të kaluar ka themeluar kompani me investim prej tre milionë euro dhe është me seli në adresë të njëjtë në Shkup si “Tor Industries”. Firma në të njëjtën adresë me “Thor”-in në biznes qendrën “Soravia” quhet “Amerikan investments” dhe është e regjistruar për shërbime konsultuese.

Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, vitin e kaluar u bë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.

Dyshohet se ai ka fituar tenderë në kurriz të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, mirëpo Drin Ahmeti e ka mohuar lidhjen e liderit të BDI-së me biznesin e tij.

Policia e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, në korrik, ngriti kallëzim penal ndaj nipërve të Ali Ahmetit, përkatësisht Drin Ahmetit dhe vëllait të tij, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz.

“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçari D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia.

Ata dyshohet se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr atëkohë nga Kreshnik Bekteshi.