Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani tha se ndryshimet e fundit kushtetuese të Uzbekistanit paraqesin një hap të madh përpara drejt ndërtimit të një “Uzbekistani të Ri” dhe OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për zbatimin e agjendës së reformës në vend, transmeton Anadolu. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Osmani këtë e ka theksuar gjatë takimit të sotëm me ministrin e Punëve të Jashtme të Uzbekistanit, Bakhtior Saidov.
Në njoftim thuhet se përmes Zyrës së Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan, Organizata ofron mbështetje në fusha kyçe si: forcimi i rolit të grave, luftimi i korrupsionit dhe adresimi efektiv i sfidave ndërkufitare në kufirin midis Uzbekistanit dhe Afganistanit. “OSBE-ja së bashku me Qeverinë e Uzbekistanit, punon për të rritur kapacitetet e shërbimeve kufitare dhe doganore për të trajtuar në mënyrë efektive sfidat ndërkufitare në kufirin Uzbekistan-Afganistan.
Maqedonia dhe rajoni ynë i Evropës Juglindore kanë shumë rrëfime suksesi për të ndarë sa i përket bashkëpunimit rajonal, lidhjen dhe kontaktet mes njerëzve. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’u përballur me sfidat rajonale sesa bashkëpunimi rajonal”, tha Osmani në takimin me Saidov-in. Sipas Osmanit, këto janë vetëm disa shembuj ilustrues të përfitimeve të prekshme për qytetarët që janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet misioneve në terren të OSBE-së dhe autoriteteve lokale. “Bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie vendimtare për t’iu përgjigjur agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, i cili kërcënon sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së”, thuhet në deklaratë.
“Kjo është një arsye më shumë pse ne duhet të angazhohemi në bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe të vazhdojmë një përgjigje të koordinuar rajonale si dhe të mbështesim multilateralizmin. Prandaj, sot vlerat dhe parimet e OSBE-së dhe roli i saj si platformë unike për dialog mes rajoneve të ndryshme janë më të rëndësishme se kurrë”, tha Osmani.
Ai theksoi se ka trend pozitiv të rritjes së bashkëpunimit ndër-rajonal ndërmjet shteteve të Azisë Qendrore, që jep shpresë për transformimin e marrëdhënieve në rajon dhe ofron mundësi të reja për zgjidhje më efektive të sfidave të përbashkëta në rajonin më të gjerë të OSBE-së. Në takim, Osmani shprehu mirënjohje për autoritetet shtetërore dhe ministrin Saidov për mbështetjen e Uzbekistanit për Maqedoninë e Veriut në kuadër të kryesimit me OSBE-në.
Comments are closed for this post.